Bëhet e ditur se qeveria e koalicionit të majtë në Spanjë ka planifikuar që iniciativën e saj për njohjen e shtetit të Palestinës ta marrë me një vendim të përbashkët në të njëjtën kohë me 4 shtete.
Burimet nga Ministria e Jashtme spanjolle njoftuan për gazetarin e AA-së se iniciativa për njohjen e shtetit palestinez, të cilën e kanë shprehur shumë herë kryeministri Pedro Sanchez dhe ministri i Jashtëm Jose Manuel Albares, është planifikuar të realizohet brenda një kohe të shkurtër dhe se parashikohet që Spanja të veprojë së bashku me 4 shtete.
Pritet që Spanja të veprojë së bashku me Maltën, Irlandën, Slloveninë, të cilat në një deklaratë të bërë më parë kanë premtuar njohjen e shtetit palestinez në rast të kushteve të përshtatshme, si dhe bashkë me Norvegjinë e cila ka deklaruar se e mbështet këtë nismë.
"Pas Xhamajkës, numri i vendeve në botë që njohin shtetin palestinez është 140. Mendojmë se kjo do të rritet në 145 me pjesëmarrjen e Spanjës dhe vendeve të tjera", thanë burimet duke shtuar se pas marrjes së këtij vendimi pritshmëria e tyre ishte rritja e presionit ndaj palëve për të shpallur një armëpushim të përhershëm.
"Njohja e shtetit palestinez është një premtim i qeverisë spanjolle dhe kryeministrit Sanchez para dhe pas zgjedhjeve. Shpresojmë që kjo të shërbejë që palët të ulen sërish në tryezën e negociatave. Kjo është një strategji e madhe dhe tani është koha e duhur. Nuk duhet të pritet më shumë", njoftuan burimet.
Ndër të tjerash, burimet theksuan se "në afat të shkurtër, prioritet do të jetë një armëpushim i përhershëm urgjent, lirimi pa kushte i pengjeve dhe hyrja e pakushtëzuar e ndihmave humanitare në rajon. Ndërkaq, në planin afatgjatë, është krijimi i një udhërrëfyesi të pakthyeshëm, të bazuar në zgjidhjen me dy shtete të cilin e shikojmë si rrugën e vetme për paqen, mirëqenien dhe sigurinë në rajon. Kjo është e nevojshme për të garantuar shpresën dhe sigurinë e Izraelit. Ne e shohim Hamasin si krejtësisht jashtë këtij procesi. Hamasi nuk është partneri i paqes në rajon".
Duke vënë në dukje se guximi politik është e vetmja gjë e nevojshme, burimet thanë se "nevojitet një plan gjigant ekonomik për rindërtimin e Gazës. Spanja dhe BE patjetër do të marrin pjesë në këtë. Lidhjet rajonale të Gazës duhet të hapen. Mbi këtë duhet të punohet pa asnjë nxitim. Po ashtu, duhet të sigurohet edhe garancia e sigurisë së Izraelit e cila është e drejtë legjitime".
Në situatën aktuale pikëpamja e përgjithshme për Lindjen e Mesme "është se lufta do të vazhdojë", thonë burimet, duke nënvizuar se "në Gaza po përjetohet një fatkeqësi humanitare e klasit të parë dhe ata janë shumë të shqetësuar për ngjarjet që po ndodhin çdo ditë në Liban".