Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama gjatë qëndrimit në Samitin e tretë të Komunitetit Politik Evropian në Granada të Spanjës është shprehur i shqetësuar për zhvillimet në veri të Kosovës.
Sipas tij, çdo vit e më tepër është rritur rreziku potencial nga aktivitet kriminale në atë pjesë ku edhe jeton pakica serbe.
“Jam shumë i shqetësuar. Gjithmonë jemi të shqetësuar sepse është një situatë e rrezikshme. Tani është në pikën kur vit pas viti rreziku potencial është rritur, është shtuar. Aktivititet kriminale në atë pjesë ku pakica serbe jeton kryesisht tani janë plotësisht të përputhura me agjendën politike dhe me shumë nacionalizëm”, tha Kryeministri Rama.
Pyetjes nëse BE ka marrë masa kundër Kosovës dhe nëse mendon që është koha që BE-ja të marrë masa edhe kundër Serbisë, Rama iu përgjigj se “jo vetëm e mendoj, por për herë të parë në të paktën 10 vitet e fundit Shqipëria nuk është linjëzuar me deklaratën e politikës së jashtme të BE-së, saktësisht për shkak të kësaj.
“Ne kemi qenë gjatë gjithë kohës në dakordësi të plotë me BE dhe ShBA-së në raport me nevojën që autoritetet kosovare të ecin përpara dhe të jenë proaktive dhe konstruktive në dialog dhe nga këndvështrimi ynë të përfitojnë maksimalisht nga plani franko-gjerman që është absolutisht një hap mjaft i rëndësishëm përpara dhe një marrëveshje shumë e mirë për Kosovën dhe për rajonin, por në të njëjtën kohë vetëm fakti që Republika e Serbisë e shpalli ditë zie kombëtare për të mbajtur zi për pjesëtarët e atij grupi kriminal paraushtarak që vrau policin, ishte e mjaftueshme për Bashkimin Europian që të çohej dhe të thoshte kjo nuk është europiane. Kjo nuk është e pranueshme. Kjo nuk është drejtësi dhe është e ndëshkueshme”.
Kovaçevski: Një nga temat kryesore është zgjerimi i BE-së
Kryetari i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, në Samitin e tretë të Bashkësisë Politike Evropiane në Granada të Spanjës, ka dhënë një deklaratë për media, në të cilën i është referuar rëndësisë së këtij Samiti të tretë në lidhje me procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut dhe rajonit dhe tregoi qëndrimet që do t'i përcjellë sot në tryezën e rrumbullakët të Samitit, ku do të flasë për tranzicionin digjital dhe inteligjencën artificiale.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut publikoi një deklaratë në lidhje me deklaratën e kryeministrit Kovacevski.
“Një nga temat kryesore që ka rëndësi më të madhe për ne është zgjerimi i BE-së. Ju e dini se agjenda e BE-së pas një kohe të gjatë është zgjerimi. Natyrisht do të diskutojmë edhe tema që kanë të bëjnë me digjitalizimin dhe futjen e inteligjencës artificiale, me qëllim përmirësimin e shërbimeve për qytetarët, dhe ky do të jetë një nga takimet e punës ku do të marr pjesë së bashku me kryeministrat e Francës, Italisë, Mbretëria e Bashkuar, një sërë të tjerëve, përfaqësuesit e Parlamentit Evropian, Komisionit Evropian”, theksoi Kovaçevski.