Deputetët e Parlamentit Evropian i kërkuan Komisionit Evropian të nisë hetim për pronarin e platformës X, Elon Musk, me shkakun se po rrit shtrirjen e postimeve të tij në një mënyrë që shkel ligjin e BE-së.
Hetimi bazohet në një studim nga Universiteti i Queenslandit në Australi, i cili ekzaminoi shfaqjen e postimeve të Muskut gjatë muajve të fundit.
Musk, i cili gjithashtu zotëron kompanitë “Tesla” dhe ”Space X”, është mbështetësi kryesor i presidentit të zgjedhur të ShBA-së Donald Trump dhe është emëruar si bashkëdrejtues i një agjencie qeveritare.
Hetimi nga Parlamenti i BE-së u nënshkrua nga 42 anëtarë të Parlamentit Evropian përfshirë të gjelbrit, social-demokratët, të majtët, liberalët dhe populistë e qendrës së djathtë.
Gjetjet e studimit tregojnë se algoritmi i platformës kohët e fundit është zhvendosur në favor të postimeve të Elon Muskut. Kjo përfshin proceset llogaritëse që përcaktojnë pozicionimin dhe shfaqjen e postimeve në platformë.
Sipas studiuesve, që kur Musk shpalli mbështetjen për Trumpit në korrik, postimet e tij kanë pësuar një rritje të konsiderueshme.
Edhe pse postimet nga llogari të tjera të njohura politike gjithashtu janë parë më shpesh gjatë fushatës zgjedhore, rritja në dukshmëri për postimet e Musk rezulton të jetë dukshëm më e madhe.
Rezultatet sugjerojnë se avantazhe specifike të dukshmërisë mund të jenë aplikuar në mënyrë selektive brenda platformës, sipas autorëve të studimit, i cili ende nuk është shqyrtuar në mënyrë të pavarur.
Deputetët kanë shprehur shqetësimin e tyre për ndikimet e mundshme mbi sigurinë publike.
”Rritja e pikëpamjeve ka të bëjë gjithashtu me postimet e Muskut për temat e BE-së dhe vendeve anëtare në X, të tilla si propaganda miqësore e Kremlinit për luftën në Ukrainë dhe teoritë antisemite të konspiracionit”, thanë eurodeputetët në kërkesën e tyre me shkrim drejtuar Komisionit Evropian.