BE-ja i ka dhënë Ukrainës mbështetje në vlerë prej 108 miliardë eurosh / Photo: AA

Bashkimi Evropian (BE) i ka ofruar gjithsej 108 miliardë euro mbështetje financiare, humanitare dhe ushtarake Ukrainës që nga fillimi i luftës me Rusinë.

Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, ndau një postim në llogarinë e saj në rrjetet sociale X në lidhje me mbështetjen që BE-ja dhe vendet anëtare i kanë dhënë Ukrainës që nga fillimi i luftës.

Duke theksuar se BE-ja ka qenë në anën e Ukrainës që nga dita e parë e luftës, von der Leyen tha: "Si BE dhe shtete anëtare, ne kemi dhënë rreth 108 miliardë euro në mbështetje për Ukrainën".

Von der Leyen tha se Ukraina do të dalë fitimtare nga lufta.

"BE-ja do të vazhdojë të qëndrojë pranë Ukrainës dhe popullit të saj për aq kohë sa të jetë e nevojshme", theksoi ajo.

Sipas të dhënave të BE-së, nga afro 108 miliardë euro ndihma e ofruar nga BE-ja dhe vendet anëtare për Ukrainën që nga fillimi i luftës, 52 miliardë euro ishin mbështetje financiare, fiskale dhe humanitare, 39 miliardë euro ishin në formën e ndihmës ushtarake, si dhe 17 miliardë euro u shpenzuan për ukrainasit që u strehuan në vendet e BE-së.

TRT Balkan / agjencitë