Transporti hekurudhor në Bashkimin Evropian po rikthehet, por është akoma larg niveleve të para pandemisë. Sipas një raporti të fundit nga Eurostat, në vitin 2021 u regjistruan 261 miliardë kilometra-pasagjerë nëpër trenat evropianë. Kjo është një rritje e performancës së këtij lloji të transportit për 17% krahasuar me vitin 2020, pas rënies së madhe prej 46% gjatë vitit 2020, krahasuar me vitin 2019, për shkak të kufizimeve të rrepta në pandemi.
Kërkesa për transport pasagjerësh u rrit me 10% midis viteve 2015 dhe 2019, kur edhe u regjistrua një kulm prej 414 miliardë kilometra-pasagjerë. Ulja e performancës së transportit hekurudhor të pasagjerëve në vitin 2020 ishte veçanërisht e theksuar në tremujorin e dytë dhe të katërt, -74% dhe -54% krahasuar me të njëjtit tremujorë në 2019.
Pavarësisht rimëkëmbjes së lehtë në vitin 2021, performanca e transportit hekurudhor të pasagjerëve të BE-së ishte ende nën nivelet e performancës para pandemisë. Krahasuar me vitin 2019, numri i pasagjerëve hekurudhor në vendet e BE-së është 37% më poshtë në vitin 2021.
Në nivel tremujor, tremujori i parë i vitit 2021 u ndikua ende në masë të madhe nga masat kufizuese kundër COVID-19 (-48% krahasuar me tremujorin e parë të 2020 dhe -57% krahasuar me tremujorin e parë të 2019). Tre tremujorët e mbetur të vitit 2021 tregojnë se performanca e transportit hekurudhor të pasagjerëve në BE ishte nën nivelet e para pandemisë, por ato nivele u rikuperuan disi nga viti 2020: +98% në tremujorin e dytë krahasuar me 2020 (-48% krahasuar me 2019), +20% në tremujorin e tretë (-25% me 2019-tën) dhe +74% në tremujorin e katërt (-20% krahasuar me 2019-tën).
Asnjë nga shtetet anëtare të BE-së nuk regjistroi rimëkëmbje në nivelet e vitit 2019 për transportin e udhëtarëve nëpërmjet hekurudhave. Diferencat më të mëdha midis viteve 2021 dhe 2019 u regjistruan në Irlandë (-64%), Itali (-51%) dhe Sllovaki (-50%). Ndërkohë, Sllovenia (-12%), Lituania (-20%), Bullgaria (-21%) dhe Franca (-21%) iu afruan më shumë niveleve të vitit 2019 të performancës së transportit hekurudhor të pasagjerëve.