Rutte: Vendet e NATO-s do të bëjnë më të mirën për të mbrojtur Ukrainën         Foto: AA

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte ka deklaruar se vendet anëtare të NATO-s do të bëjnë më të mirën e tyre për t'i siguruar Ukrainës sistemet më të nevojshme të mbrojtjes ajrore.

Rutte tregoi për mediat në ditën e dytë të takimit të shefave të diplomacisë së vendeve anëtare të NATO-s, se Rusia dhe Kina po përpiqen të destabilizojnë vendet e NATO-s përmes akteve të sabotimit, krimeve kibernetike dhe duke përdorur energjinë si armë.

Duke theksuar sulmet sistematike ajrore ruse në infrastrukturën energjetike të Ukrainës, shefi i NATO-s u shpreh se për t'iu kundërvënë këtij kërcënimi, aleanca do të ndërmarrë hapa të mëtejshëm, përfshirë ndarje më të mirë të inteligjencës.

Gjatë takimit në Bruksel ai nënvizoi se Ukraina duhet të jetë në pozicionin e forcës përballë sulmeve të rënduara ruse dhe se aleanca ushtarake mbetet e përkushtuar në mbështetjen e Ukrainës për këtë qëllim.

Dje, në një konferencë për media me ministrin ukrainas të Punëve të Jashtme, Andrii Sybiha, Rutte vuri theksin tek rëndësia e funksionimit të rrjetit energjetik të Ukrainës.

"Ne nuk mund të kemi një armatosje të dimrit në Ukrainë", tha Rutte, duke shtuar se ai diskutoi këtë "element vendimtar" me ministrat e Jashtëm të vendeve të NATO-s.

Lidhur me mbrojtjen ajrore, Rutte tha se ata "po bëjnë shumë, por se duhet bërë edhe më shumë" për t'u siguruar që Ukraina të jetë sa më e sigurt që të jetë e mundur.

TRT Balkan / agjencitë