Autoritet greke pothuajse çdoherë kanë qasje diskriminuese ndaj refugjatëve dhe emigrantëve. Roja Bregdetare Greke (RBK) prej vitesh është dëshmuar si institucioni kryesor i Qeverisë së Greqisë, për shkeljen e lirive dhe të drejtave të njeriut, në këtë rast të emigrantëve. Larg një konstatimi të tillë nuk është as raporti i Zyrës Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF), i publikuar javë më parë në internet faqen FragDenStaat në Gjermani, e cila thotë se Frontex-i (Agjencia Kufitare e BE-së), i ka mbuluar kthimet e paligjshme të refugjatëve dhe emigrantëve nga RBK, në ujërat territoriale turke.
Shefi i Kryesisë së Komunikimeve pranë Presidencës së Türkiye-s, Fahrettin Altun, në kuadër të zhvillimeve të fundit, në Twitter shkroi se makina greke e lajmeve të rreme është kthyer në punë, duke apostrofuar ministrin e Emigracionit dhe Azilit të Greqisë.
"Me këto përpjekje të kota dhe qesharake, Greqia i ka treguar edhe një herë mbarë botës se nuk respekton dinjitetin e refugjatëve duke postuar fotot e këtyre njerëzve të shtypur që ka deportuar pas zhvatjes së pasurisë së tyre personale", shkruan Altun.
Sipas tij, autoritetet greke duhet së pari të japin llogari për foshnjat që u mbyten në Egje, si dhe njerëzit që i zhveshën lakuriq, i rrahën me rripa dhe i lanë të ngrijnë deri në vdekje në Maritsa, nëpërmjet bashkëpunimit të tyre me Frontex.
Më 5 gusht 2020, një anëtar i Frontex-it raportoi shqetësimet e tij në një email pasi një avion i Frontex-it dëshmoi se autoritetet greke detyronin një varkë të dobët refugjatësh të kthehej në ujërat turke.
“Të tërheqësh një varkë të brishtë të mbipopulluar gjatë natës drejt detit të hapur është një situatë që mund të rrezikojë seriozisht jetën e pasagjerëve”, thuhet në mail dhe sqarohet se aeroplani i Frontex-it u udhëzua menjëherë të largohej nga vendi i ngjarjes nga eksperti i rojës bregdetare helene”.
5 mars, 2020
Një prej ngjarjeve më të rënda të autoriteteve greke sa u përket emigrantëve është sulmi i forcave greke mbi emigrantët më 5 mars të vitit 2020. Emigrantët gjatë kësaj periudhe u përballën me sulme, dhunë fizike dhe abuzim seksual. Forcat greke të sigurisë ua hoqën atyre rrobat, ua konfiskuan telefonat, paratë dhe sendet e tjera dhe i shtynë me forcë përtej lumit Meric në drejtim të Türkiye-s në ose afër qytetit të Edrenesë dhe fshatrave përreth.
Më 27 shkurt 2020 filloi fluksi i refugjatëve drejt kufirit grek, me shumë njerëz që shpresonin të kalonin në Evropë, pasi Türkiye njoftoi hapjen e kufijve tokësor dhe detarë mes saj dhe Greqisë.
Greqia tha se nuk do të lejonte refugjatët të hynin në territorin e saj dhe forcat greke të sigurisë thanë se kishin penguar rreth 42.000 njerëz të hynin në territorin e saj që nga fillimi i fluksit të refugjatëve
“Bashkimi Evropian po fshihet pas shkeljeve të forcave greke të sigurisë në vend që të ndihmojë Greqinë të mbrojë azilkërkuesit dhe t'i transportojë ata të sigurt në vende të tjera brenda saj”, deklaruan nga Human Rights Watch.
Sipas tyre, Bashkimi Evropian duhet të mbrojë njerëzit në nevojë, jo të mbështesë forcat që rrahin azilkërkuesit dhe emigrantët, i vjedhin, u heqin rrobat dhe i kthejnë përtej lumit.