Greqia ka vendosur një javë pune vullnetare gjashtëditore në industri të zgjedhura për të nxitur rritjen ekonomike dhe rritjen e produktivitetit, pavarësisht kundërshtimit nga sindikatat që thonë se ky hap nuk do të zgjidhë mungesën e fuqisë punëtore në vend.
Sipas zyrtarëve grekë, java gjashtëditore e punës vlen vetëm për bizneset private në Greqi që ofrojnë shërbime 24 orë në ditë.
Si pjesë e javës së zgjatur të punës, stafi në industri dhe fabrika të përzgjedhura prodhuese do të ketë mundësinë të punojë dy orë shtesë në ditë ose një turn shtesë tetë orësh, me kompensim prej 40 për qind të pagës së rregullt ditore, raporton Guardian.
Qeveria greke, e drejtuar nga kryeministri Kyriakos Mitsotakis, thotë se masa e përmendur, e cila ka hyrë në fuqi dje, është e nevojshme për shkak të rënies së popullsisë dhe mungesës së punëtorëve të kualifikuar në Greqi.
Rreth 500.000 grekë të rinj e të arsimuar janë larguar nga vendi që nga fillimi i krizës së borxhit që shpërtheu në fund të vitit 2009 dhe Mitsotakis e quajti këtë demografi një "bombë me sahat".
Sindikatat e kundërshtuan ashpër këtë masë, të cilën e cilësuan si “barbare”, në një kohë kur disa vende europiane po mendojnë në drejtim të kundërt dhe po eksperimentojnë me një javë pune katërorëshe.
"Këto masa u miratuan nga një qeveri që është ideologjikisht e përkushtuar për të krijuar fitime gjithnjë në rritje për kapitalin. Produktiviteti më i mirë vjen me kushte më të mira pune, një cilësi më të mirë jete për punonjësit, dhe kjo, ne tani e dimë, është më pak orë pune, jo më shumë”, tha anëtari i Bordit të Sindikatës së Nëpunësve Civilë Adedi, Akis Sotiropoulos.