Vaksinohen për poliomielit në Gazën qendrore mbi 187.000 fëmijë / Photo: AA

Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh) tha të mërkurën se faza e parë e vaksinimit ndaj poliomielitit në Gazën qendrore ka përfunduar, me më shumë se 187.000 fëmijë të vaksinuar.

Tedros Adhanom Ghebreyesus tha në X se numri i fëmijëve të vaksinuar ka "tejkaluar" objektivin prej 156.500.

"Katër vende fikse do të vazhdojnë të ofrojnë vaksinimin e poliomielitit për tri ditët e ardhshme në Gazën qendrore për të siguruar që asnjë fëmijë nuk ngelet i anashkaluar," tha Tedros.

Ai vuri në dukje se janë duke u zhvilluar përgatitjet për të hapur fushatën e vaksinave në Gazën jugore, e cila do të fillojë nesër.

Shpërndarja e dozave të para do të përfundojë pasi fushata e vaksinës të kalojë tre ditë dhe një ditë të mundshme zgjatjeje në zonën veriore.

"Ne jemi mirënjohës për përkushtimin e të gjitha familjeve, punonjësve shëndetësorë dhe vaksinuesve që e bënë këtë pjesë të fushatës një sukses, pavarësisht kushteve të rënda në Rripin e Gazës," tha ai dhe kërkoi: "Ne kërkojmë që pauzat humanitare të vazhdojnë të respektohen”. “Ne vazhdojmë të bëjmë thirrje për një armëpushim”, shtoi ai.

Urgjenca e fushatës u nënvizua nga konfirmimi i rastit të parë të poliomielitit në Gaza në 25 vjet, në një fëmijë 10-muajsh muajin e kaluar.

Fushata e vaksinimit ndaj poliomielitit po zhvillohet në sfondin e sulmeve të vazhdueshme ushtarake të Izraelit në Gaza, të cilat kanë rezultuar në mbi 40.700 vdekje të palestinezëve që nga inkursioni i Hamasit tetorin e kaluar.

TRT Balkan / agjencitë