Punonjësit e turnit të natës mund ta ulin rrezikun e kancerit me melatonin                            Foto: AA

Punonjësit e turnit të natës janë në një rrezik më të lartë për kancer për shkak të modeleve të çrregullta të gjumit, të cilat mund ta dëmtojnë ADN-në. Megjithatë, një studim i ri i publikuar të hënën sugjeron se suplementet me melatoninë mund të ndihmojnë në zvogëlimin e këtij rreziku.

Studiuesit zbuluan se punonjësit e turnit të natës që morën melatoninë shfaqën një rritje të ndjeshme të një biomarkeri urinar, i cili tregon përmirësim në riparimin e ADN-së.

Studimi, i udhëhequr nga dr. Parveen Bhatti nga Instituti i Kërkimeve për Kancerin në BC, Vancouver, dhe i publikuar në revistën Occupational & Environmental Medicine, përfshiu 40 pjesëmarrës. Gjysma e tyre morën një tabletë melatoninë prej 3 miligramësh çdo ditë para gjumit për katër javë, ndërsa pjesa tjetër morën një placebo.

Studimi theksoi se punonjësit e turnit të natës kanë nivele më të ulëta të melatoninës, pasi ky hormon, i cili ndihmon në rregullimin e ciklit gjumë-zgjim, prodhohet si përgjigje ndaj dritës së diellit. Ky deficit mund të dëmtojë aftësinë e trupit për të riparuar dëmtimet e ADN-së, duke rritur kështu rrezikun e kancerit.

Duke analizuar mostrat e urinës së pjesëmarrësve në fillim dhe në fund të studimit, studiuesit matën nivelet e 8-OH-dG, një biomarker i lidhur me riparimin e ADN-së. Rezultatet treguan një rritje prej 80% të nivelit të 8-OH-dG te ata që morën melatoninë, duke sugjeruar një përmirësim të ndjeshëm të riparimit të ADN-së gjatë gjumit gjatë ditës.

Studiuesit theksuan nevojën për kërkime të mëtejshme me mostra më të mëdha për të vlerësuar efektivitetin afatgjatë të melatoninës për punonjësit e turnit të natës, duke vënë në dukje se përdorimi i vazhdueshëm mund të jetë i nevojshëm për t'i maksimizuar përfitimet e mundshme në parandalimin e kancerit.

TRT Balkan / agjencitë