Lloji i pinguinit afrikan, popullsia e të cilëve është zvogëluar me një ritëm të rrezikshëm në çerekshekullin e fundit, mund të zhduket deri në vitin 2035 nëse nuk merren masat e nevojshme.
Pinguinët afrikanë të cilët në botë jetojnë vetëm në brigjet e Afrikës së Jugut dhe Namibisë, në fillim të shekullit XXI kishin një popullsi prej 100 mijë, por në 25 vitet e fundit pas një rënieje të mprehtë u ul në 10 mijë.
Nëse kjo rënie për shkak të faktorëve njerëzorë dhe klimatikë nuk mund të parandalohet, parashikohet që brezi i vetëm i pinguinëve në kontinentin afrikan të zhduket brenda 10 viteve të ardhshme.
Drejtoresha e Departamentit për Studime pranë Fondacionit të Afrikës Jugore për Ruajtjen e Zogjve Bregdetarë (SANCCOB) dr. Katta Ludynia, në deklaratën për Anadolu vlerësoi gjendjen e këtij lloji të pinguinëve.
- "Peshkatarët dhe pinguinët afrikanë janë në konkurrencë të drejtpërdrejtë për të njëjtin burim ushqimi"
"Më vonë këtë vit mund të shohim që pinguini afrikan të klasifikohet si i rrezikuar në mënyrë kritike. Kjo është për shkak të rënies së vazhdueshme dramatike të popullsisë së pinguinëve afrikanë", tha ajo.
Sipas saj, rreziku më i madh për pinguinët afrikanë është "mungesa e ushqimit". "Pinguinët në shumicën e rasteve ushqehen me sardele dhe açuge, por edhe këto rezerva të peshkut janë në rënie", shtoi Ludynia.
Ajo shprehu shqetësimin se pinguinët nuk mund të gjejnë ushqim të mjaftueshëm në oqean. "Kjo është pjesërisht për shkak të ndryshimeve mjedisore që ndikojnë në rezervat e peshkut, lëvizjet e peshkut dhe presionin e lartë të peshkimit. Açuga ka vend të rëndësishëm në industrinë e peshkimit në Afrikën e Jugut. Është shqetësuese që peshkatarët dhe pinguinët afrikanë janë në konkurrencë të drejtpërdrejtë për të njëjtin burim ushqimi", tha Ludynia.
Duke folur rreth regjistrimit të fundit, Ludynia tha: "Regjistrimi i këtij viti tregon se në Afrikën e Jugut kanë mbetur rreth 8-9 mijë çifte pinguinësh. Në nivel global kemi zbritur në 10 mijë. Kanë mbetur shumë pak pinguinë në Namibi, një vend tjetër ku shumohen pinguinët afrikanë. Këto shifra janë alarmante. Vetëm 20-25 vjet më parë kishim më shumë se 20 mijë çifte mbarështuese në një ishull të vetëm, tani kemi 10 mijë çifte riprodhuese të mbetura në gjithë natyrën".
"Numri i tyre vazhdon të bjerë dhe ne jemi jashtëzakonisht të shqetësuar për këtë trend. Modelimi i fundit tregon se pinguini afrikan do të zhduket deri në vitin 2035 nëse situata nuk ndryshon", tha Ludynia.
Ajo thekson se rrjedhjet e naftës janë faktor i rëndësishëm për rënien e popullsisë së pinguinëve. "Për fat të mirë, shohim se incidenca e derdhjeve të naftës është ulur me shpejtësi vitet e fundit. Ngjarjet ekstreme të motit të shkaktuara nga ndryshimet klimatike ndikojnë negativisht në popullatën e pinguinëve. Ngjarjet ekstreme të motit si valët e të nxehtit ose përmbytjet bëjnë që pinguinët të braktisin vezët dhe zogjtë", theksoi Ludynia.
SANCCOB merret që nga viti 1968 me mbrojtjen e llojeve të pinguinëve. Ludynia ftoi ata që duan të mbështesin ruajtjen e pinguinëve afrikanë të marrin pjesë në programe vullnetare që variojnë nga 6 javë deri në 1 vit.
"Këto programe do të përfshijnë ushqimin e pinguinëve, ndihmën për rehabilitimin, pastrimin, përgatitjen e ushqimit, shikimin se si këta zogj lëshohen përsëri në natyrë dhe ndryshimin në shpëtimin e kësaj specieje", tha ajo.