Historia e Salima Khan, mësoi shkrim-leximin në moshën 92-vjeçare. / Foto: AA

Një grua nëntëdhjetëedyvjeçare indiane u ul në shkollë për herë të parë gjashtë muaj më parë dhe më në fund mësoi të lexonte dhe të shkruante, duke u bërë shembull për gratë e tjera nga fshati i saj.

Salima Khan, e lindur rreth vitit 1931 dhe e martuar në moshën 14-vjeçare, ka ëndërruar prej kohësh të mësojë të përdorë numrat dhe shkronjat. Kur ishte fëmijë, në fshatin e saj nuk kishte shkollë.

Gjashtë muaj më parë, e shoqëruar nga gruaja e nipit të saj, ajo u nis për në shkollë në Bulandshahr, Uttar Pradesh dhe më në fund filloi shkollimin pranë fëmijëve tetë dekada më të vegjël se ajo.

Historia e Salima Khan mori vëmendjen pasi një video e saj duke numëruar deri në 100 u postua në rrjetet sociale.

Nipërit e mi më mashtruan për t'u dhënë më shumë para sepse nuk dija të numëroja faturat, - tha ajo për Times of India. “Ato ditë janë pas nesh”.

Shkalla e shkrim-leximit në Indi është rreth 73 për qind, sipas regjistrimit të vitit 2011.

Drejtoresha e shkollës, Pratibha Sharma, tha se mësuesit fillimisht ishin në mëdyshje rreth mësimit të Salima Khan, por ajo i bindi shpejt me pasionin e saj për të mësuar.

“Nuk kishim zemër ta largonim”, tha Sharma për Times of India.

Pas rastit të një gruaje indiane 92-vjeçare, 25 gra nga fshati i saj vendosën të mësojnë të lexojnë dhe të shkruajnë.

TRT Balkan / agjencitë