Arrihet marrëveshje, ndërpritet greva e kompanisë “Pastrimi” në Prishtinë / Foto: AA

Është arritur marrëveshje mes bordit drejtues të kompanisë “Pastrimi” në Prishtinë dhe punonjësve të kësaj kompanie të cilët hynë në grevë nga dita e hënë.

Marrëveshja për ndërprerjen e grevës u arrit pasi menaxhmenti i kompanisë, pas bisedimeve me sindikatën, ka marrë vendim të rrisë pagat e punonjësve, për 70 euro respektivisht për 59 euro për kategori të ndryshme.

Këtë e konfirmon edhe kompania “Pastrimi” nëpërmjet një njoftimi për media.

“Bordi i Drejtorëve të KRM “Pastrimi” në mbledhjen e jashtëzakonshme të tij mori vendim për rritjen e pagave të punëtorëve”, thuhet në njoftim.

Edhe nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Donjeta Sahatçiu, ka konfirmuar zgjidhjen e ngërçit të mbeturinave në kryeqytet.

“Kjo zgjidhje nuk e plotëson nevojën e punëtorëve për kompensim meritor e kushte më të mira të punës, ashtu sikurse nuk e zgjidh problemin e menaxhimit të mbeturinave në Kryeqytet përgjithmonë. Derisa e drejta për grevë për paga më të larta është e drejtë e secilit, ndërprerja e tërësishme e shërbimit për të cilin paguhen, nuk është e drejtë për qytetarët që kërkojnë shërbim”, ka shkruar Sahatçiu në Facebook.

Punonjësit e kompanisë “Pastrimi” filluan grevë të hënën me kërkesë për rritje pagash. Si rezultat i grevës, në kryeqytetin e Kosovës u grumbulluan mbeturinat për disa ditë. Mbledhja e mbeturinave filloi mbrëmë me punëtorë nga Ferizaj.

TRT Balkan / agjencitë