Është nënshkruar marrëveshja e nënhuazimit dhe nëngrantit për projektin e Ngrohtores Diellore në Prishtinë ndërmjet ministrisë së Financave dhe "Termokosit".
Ministri i Financave të Kosovës Hekuran Murati tha se ky projekt, meqë e rrit prodhimin e energjisë termike do t'ua mundësojë kyçjen edhe të rreth 38 mijë qytetarëve në rrjetin e "Termokosit". Ai theksoi se, përveç dobisë në terma ekonomikë, ky projekt do të sjellë edhe dobi të tjera për kryeqytetin kosovar.
"Përveç dobisë në terma ekonomikë, ky projekt ka një rol thelbësor edhe në përmirësimin e cilësisë së ajrit, zvogëlimin e emetimit të dioksidit të karbonit dhe ndihmon në tranzicionin në energji të gjelbër", tha Murati.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, tha se ky projekt është me rëndësi të madhe për kryeqytetin dhe ka të bëjë me nxitjen e rritjes ekonomike dhe përkrahjen e qëndrueshmërisë mjedisore. Ai shtoi se kjo është zgjidhje e besueshme, e përballueshme dhe e qëndrueshme për ngrohjen e ambienteve të banimit dhe punës në kryeqytet.
"Impianti i ri diellor dhe zgjerimi i rrjetit të ngrohjes qendrore do të zvogëlojë dukshëm emetimet e dioksidit të karbonit të lidhura me ngrohjen, do të përmirësojnë cilësinë e ajrit dhe do të integrojnë furnizimin me energji të rinovueshme në sistemin e ngrohjes qendrore për qytetin e Prishtinës", theksoi Rama.
Ambasadori i Gjermanisë Jörn Rohde tha se rritja e kapacitetit të ngrohjes me energji diellore do të zvogëlojë konsumin e energjisë elektrike dhe do të zvogëlojë varësinë nga qymyri po ashtu.
"Duke parë përvojën me kriza energjetike në Evropë dhe vetëdijesimin tonë për të siguruar furnizimin me energji, për shkak se çështja e energjisë u vështirësua në vitet e fundit, ky projekt vjen në një kohë vendimtare për Kosovën, në tranzicionin energjetik të saj", theksoi Rohde.
Drejtori i kompanisë "Termokos", Fisnik Osmani, tha se kompania mbulon aktualisht 30 mijë konsumatorë me ngrohje në kryeqytet, nga 19 mijë sa ishin një vit më herët dhe me zgjerimin me ngrohtoren diellore shifrat do të rriten edhe më tej.
Ky projekt realizohet me mbështetjen e Gjermanisë me një grant prej 31,6 milionë eurove dhe Bashkimit Evropian (BE) me grant prej 22 milionë eurove, ndërsa pjesa tjetër prej 23 milionë eurove është kredi e marrë nga Kosova në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh).