BE-ja: Kosova t’i dëgjojë aleatët për Urën e Ibrit / Photo: Reuters

Bashkimi Evropian ka kërkuar nga autoritetet e Kosovës t’i dëgjojnë partnerët dhe aleatët në lidhje me hapjen e Urës së Ibrit.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, në konferencën për media theksoi se qëndrimi i BE-së në lidhje me urën e Ibrit nuk ka ndryshuar.

Sipas tij, qëndrimi i Bashkimit Evropian në lidhje me urën është përshkruar shumë qartë në ditët dhe javët e fundit, si dhe është komunikuar edhe me partnerët në Prishtinë dhe është diskutuar gjerësisht me të gjithë partnerët e tjerë brenda BE-së, me ShBA-në me NATO-n dhe KFOR-in.

“Qëndrimi i BE-së nuk ka ndryshuar. Pra, nuk ka asgjë të re. Mund të shtoja vetëm duke kujtuar se, po, ka diskutime dhe ndërveprime të vazhdueshme për këtë çështje, diskutime dhe ndërveprime të vazhdueshme për këtë çështje me qëllim ose në përputhje me qëndrimin e Bashkimit Evropian që hapat e njëanshëm, të pakoordinuar duhet të shmangen dhe kjo çështje duhet të diskutohet në kuadër të dialogut. Ky është qëndrimi i të gjithë partnerëve dhe aleatëve të Kosovës, dhe autoritetet e Kosovës do t'i bënin një shërbim shumë të mirë vetes dhe popullit të tyre nëse do ia vënin veshin dhe dëgjonin mesazhet e partnerëve dhe aleatëve”, theksoi Stano.

Zëdhënësi i BE-së ka shtuar se nuk ka datë se kur mund të ketë takim potencial për ta diskutuar këtë çështje në kryeqendrën e BE-së, Bruksel.

TRT Balkan / agjencitë