Liderët e shteteve të Bashkimit Evropian u bëjnë thirrje Kosovës dhe Serbisë për deeskalim të menjëhershëm të tensioneve në veri të Kosovës dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri.
Në konkluzat e miratuara në ditën e dytë të Samitit, Këshilli Evropian thotë se mosmarrja e masave për deeskalimin e situatës do të ketë pasoja negative për palët.
“Këshilli Evropian i dënon incidentet e fundit të dhunshme në veri të Kosovës dhe bën thirrje për deeskalim të menjëhershëm të situatës, bazuar në elementet kyç tashmë të nënvizuara nga Bashkimi Evropian më 3 qershor 2023. Palët duhet të krijojnë kushtet për zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri të Kosovës. Dështimi për të deeskaluar tensionet do të ketë pasoja negative”, thuhet në konkluzat e Këshillit Evropian.
Këshilli i BE-së gjithashtu bën thirrje që Kosova dhe Serbia të vazhdojnë dialogun dhe implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, përfshirë themelimin e Asociacionit ose Komunitetit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.
“Është thelbësore që të vazhdojë dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja, i udhëhequr nga Përfaqësuesi i Lartë, dhe implementimi i Marrëveshjes për normalizim dhe Aneksit për implementimin e saj. Kjo përfshin formimin e Asociacionit/Komunitetit të Komunave me Shumicë Serbe”, përfundon konkluzën Këshilli i BE-së, siç lexohet në komunikatën e publikuar prej tyre.
Bashkimi Evropian para disa ditësh kishte paralajmëruar masa ndaj Kosovës për shkak të dështimit për të deeskaluar situatën në veri.
Mes masave të paralajmëruara janë pezullimi i punës për të gjitha grupet e punës për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA), pezullimin e financimit të programeve të BE-së, mosmiratimin e projekteve nga Fondi i Investimeve në Ballkanin Perëndimor, si dhe pezullimin e takimeve të nivelit politik.