Bislimi takon ambasadorin turk, flitet për integrimin e Kosovës / Foto: AA

Zv/kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka pritur në takim ambasadorin e Türkiyes në Kosovë, Sabri Tunç Angılı.

Siç njofton Zyra e Kryeministrit të Kosovës, në takimin e parë me ambasadorin Angılı, zv/kryeministri Bislimi, duke i uruar mirëseardhjen në Kosovë, ka potencuar “marrëdhëniet e shkëlqyera të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Türkiyes”.

“Në këtë takim u bisedua për mundësitë e thellimit të marrëdhënieve bilaterale, veçanërisht në ekonomi, ku ekziston potencial madhor në rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve tona”, njofton Zyra e Kryeministrit.

Bislimi foli edhe për objektivat strategjike të Kosovës, siç janë anëtarësimi në Këshillin e Evropës, rrugëtimi drejt Bashkimit Evropian (BE), përfundimi i procesit të liberalizimit të vizave dhe aplikimi në Partneritetin për Paqe në NATO.

Në këtë takim, ambasadori Angılı u shpreh falënderues për mikpritjen në Kosovë, si dhe theksoi mirënjohjen e thellë për ndihmën dhe solidaritetin e ardhur nga Kosova ndaj popullit turk në rastin e tërmetit të fuqishëm që goditi Türkiyen.

Palët po ashtu potencuan edhe rëndësinë e nevojën për stabilitet, paqe dhe siguri në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe biseduan edhe mbi procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

AA