Bujar Osmani në Prishtinë: Të ulen tensionet në veri / Foto: AA

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës në Kosovë, Donika Gërvalla, ka pritur në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, njëherësh kryesues aktual i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

Ministrja Gërvalla në fjalën e saj pas takimit me ministrin Osmani tha se OSBE-ja bën punë të admirueshme sot në adresimin e temave të ndryshme të cilat ndihmojnë në një Kosovë më demokratike.

Gërvalla tha se bashkë me ministrin Osmani konstatuan bashkëpunimin e shkëlqyeshëm të Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut dhe nevojën për të vazhduar ky bashkëpunim në mes të dy vendeve fqinje.

"U pajtuam që kemi nevojë të dy qeveritë të punojmë edhe më shumë jo vetëm në implementimin e marrëveshjeve që kemi deri sot, por sidomos në gjetjen e mënyrave të tjera të bashkëpunimit midis dy shteteve tona fqinje të cilat nëpërmjet marrëdhënieve shumë të mira që kanë dëshmojnë se Ballkani Perëndimor nuk ka nevojë të jetë rajon konflikti, por është një rajon i fqinjëve që bashkëpunojnë mbi baza serioze të respektit të ndërsjellë dhe prodhojnë në këtë mënyrë rezultate të jashtëzakonshme", theksoi Gërvalla.

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, njëherësh kryesues aktual OSBE-së, Bujar Osmani tha se me ministren Gërvalla janë dakorduar të kenë investime në fqinjësi të mirë specifikisht investime në rajon për të ardhmen.

Osmani në cilësinë e kryesuesit aktual të OSBE-së vlerësoi partneritetin dhe marrëdhëniet e mira me institucionet e Kosovës për 20 vjet derisa theksoi se qëllimi vizitës së tij është të inkurajohen institucionet kosovare që të bazohen në OSBE-në si burim kyç në dizajnimin dhe implementimin e reformave.

Ai tha se OSBE-ja, institucionet e Kosovës dhe komunitetet kanë bërë një progres të dukshëm së bashku në promovimin e institucioneve funksionale, demokratike, për të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit.

"Është e rëndësishme të ulen tensionet në terren në veri të Kosovës që t’i jepet hapësirë procesit politik të dialogut të lehtësuar nga BE-ja. OSBE-ja është e gatshme të mbështesë zbatimin e marrëveshjeve të arritura brenda dialogut. Kjo vizitë na ofroi një pasqyrë të qartë të Misionit të OSBE-së në Kosovë. Ka shumë arritje pozitive të misionit në fushën e të drejtave të njeriut, demokratizimit dhe sigurisë publike”, theksoi Osmani.

Gjatë qëndrimit në Kosovë, Osmani takon edhe presidenten e Kosovës Vjosa Osmanin si dhe kryeministrin Albin Kurti.

AA