Çfarë i parapriu incidentit të Bajnskës në Veri të Kosovës? / Foto: Reuters

Një pjesëtar i Policisë së Kosovës humbi jetën dhe një tjetër u plagos në sulmin e armatosur ndaj policisë në Banjskë të Leposaviqit. Një grup i vlerësuar terrorist nga institucionet e Kosovës, i përgatitur dhe uniformuar, u përlesh me organet e rendit në orët e para të së dielës. Tre pjesëtarë të grupit serb u vranë, ndërsa gjashtë të tjerë u arrestuan nga Policia e Kosovës.

Përleshja e djeshme ishte kulmim i tensioneve që po zgjasin muajve të fundit në komunat me shumicë serbe në Kosovë. Paralelisht me bisedimet e ndërmjetësuara në Bruksel për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, situata në terren ka vazhduar të jetë e nxehtë dhe e tensionuar.

Vetëm në dhjetëditëshin e fundit, një varg ngjarjesh i paraprinë eskalimit në Kosovë.

Dështimi i bisedimeve në Bruksel

Më 14 shtator u zhvillua raundi i ri i bisedimeve mes krerëve të Kosovës dhe Serbisë, Albin Kurti e Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësimin e diplomatëve të lartë evropianë, Josep Borrell e Mirosllav Lajçak.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi pas takimit se Serbia ka kushtëzuar me themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, ndërsa ka akuzuar edhe ndërmjetësin Lajçak për koordinim me Serbinë.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, nga ana tjetër, akuzoi Kurtin për dështimin e bisedimeve, duke thënë se ai nuk pranoi planin e sekuencuar “të propozuar nga BE-ja”.

Pas raundit të pasuksesshëm, palët u kthyen në qëndrimet e tyre të barrikaduara, duke mos shënuar ndonjë përafrim ose përparim drejt shtensionimit.

Kërcënimi i Radojçiqit

Pak orë pas takimit në Bruksel, nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radojçiq, ka kërcënuar kryeministrin e Kosovës Albin Kurti me anë të një publikimi në Facebook.

“Albin Kurti, ti si të gjithë okupuesit, mund të bësh ç’të duash, por jo aq gjatë sa do ti. Koha do të tregojë se kush do të vuajë dhe e do të paguajë në fund”, ka publikuar Radojçiq.

Millan Radojçiq është i arratisur nga Kosova në Serbi dhe kërkohet nga organet e rendit dhe të ligjit të shtetit të Kosovës. Ai gjithashtu është përfshirë në Listën e Zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe.

Granatë dore dy ditë para sulmit

Më 22 shtator gjatë natës, në Lagjen e Boshnjakëve në veri të Mitrovicës shpërtheu një granatë dore ushtarake. Megjithëse nuk kishte viktima, mesazhi i këtij shpërthimi ishte politik, sipas institucioneve të Kosovës.

Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla tha se granata ushtarake e dorës është hedhur si përgjigje ndaj arrestimit të tre kriminelëve serbë nga Policia e Kosovës.

Javëve të fundit, Policia e Kosovës gjithashtu ka gjetur dhe konfiskuar armatim të rëndë në lokacione në veri të vendit.

TRT Balkan