Chollet dhe Escobar: Asociacioni i komunave serbe është domosdoshmëri / Foto ilustrim: Facebook - Vjosa Osmani

Këshilltari i Departamentit të Shtetit, Derek Cholet, dhe i dërguari special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, kanë bërë thirrje për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke theksuar se kjo është një domosdoshmëri.

Në një tekst autorial të publikuar në “Koha”, ata thonë se Asociacioni do të ishte strukturë për komunat me popullatë serbe, i cili do të bashkërendiste çështjet dhe shërbimet si arsimi, kujdesi shëndetësor, planifikimi urban e rural si dhe zhvillimi ekonomik.

Zyrtarët amerikanë theksojnë se e kundërshtojnë rreptësisht krijimin e çfarëdo entiteti që i përngjan Republika Sërpskës në Bosnjë e Hercegovinë dhe se bashkësia ndërkombëtare nuk po kërkon të imponojë një zgjidhje.

“Është mënyrë për përmirësimin e jetës së përditshme të qytetarëve, krijimin e besimit ndërmjet serbëve etnikë dhe qeverisë qendrore, sigurimin e lidhjeve më të mira ndërmjet veriut dhe pjesës tjetër të vendit, dhe krijimin e mekanizmave për serbët për pjesëmarrje më të madhe në jetën shoqërore të Kosovës”, thuhet në tekstin e tyre autorial.

Chollet dhe Escobar kanë treguar se çka mund të jetë dhe çka nuk mund të jetë një Asociacion i komunave serbe.

“Në përgjithësi, Asociacioni do të ishte strukturë për komunat me popullatë me shumicë etnike serbe për të bashkërenditur çështjet dhe shërbimet si arsimi, kujdesi shëndetësor, planifikimi urban dhe rural dhe zhvillimi ekonomik lokal – me fjalë të tjera, funksionet për të cilat të gjitha komunat në Kosovë janë përgjegjëse. Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe nuk do të jetë mono-etnike. Në vend të kësaj, ne po kërkojmë nga Kosova që të ofrojë vizionin e saj për këtë asociacion dhe jemi të gatshëm të ofrojmë ekspertizë dhe mbështetje politike për të siguruar që ajo funksionon në interesin më të mirë të kosovarëve”, kanë shkruar Chollet dhe Escobar.

Ata thonë se komunat me interesa të përbashkëta, gjuhë dhe kulturë do të mund të bashkëpunojnë në ofrimin e shërbimeve publike, nëpërmjet ekonomive të shkallës dhe shkëmbimit të praktikave më të mira. Për shembull, komunat do të mund të hartojnë kurrikulë në gjuhën serbe për shkollat lokale në disa komuna e të mos veprojnë në vakum dhe duke bërë punë të dyfishtë. Sipas tyre, bashkëpunimi i tillë është në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015 për zotimin për Asociacion dhe parimet e qeverisjes së mirë të ushtruara nëpër vendet tjera në Evropë.

Kosova Press