Dialogu Kosovë-Serbi, Bislimi: Raund i dështuar në normalizim e raporteve / Photo: AA

Zëvendëskryeministri i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, mori pjesë në takimet e radhës në kuadër të procesit të dialogut Kosovë-Serbi, të zhvilluar në Bruksel.

Siç njofton Zyra e Kryeminstrit të Kosovës, fillimisht, Bislimi mbajti një takim bilateral me Përfaqësuesin Special të BE-së, emisarin Mirosllav Lajçak, ndërsa më pas u mbajt dhe një takim trilateral, ku ishte edhe kryenegociatori serb Petar Petkoviq.

Zëvendëskryeminitri Bislimi, pas takimit duke folur për media e ka konsideruar raund të dështuar takimin me Petkoviqin dhe ndërmjetësimin e BE-së, si dhe pa rezultate në ecjen përpara të normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi.

Në takimin bilateral u trajtuan një mori temash, gjersa në takimin trilateral, temë e diskutimit ishte e paraparë sipas agjendës rruga përpara me zbatimin e Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Ohrit.

“Në takimin bilateral me emisarin Lajçak si dhe në atë trilateral, zëvendëskryeministri Bislimi theksoi domosdoshmërinë e zbatimit të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Ohrit, e atë në tërësi dhe pa vonesa të mëtejme, përmes një plani të sekuencimit të drejtë dhe të barabartë mes palëve”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, një nga temat e trajtuara në takimin bilateral me emisarin Lajçak, ka qenë dhe çështja e personave të pagjetur, ku pala kosovare konsideroi se Serbia vijon ta bllokojë zbatimin e deklaratës së përbashkët.

Gjithashtu, u diskutua edhe për marrëveshjet mbi lirinë e lëvizjes, energjinë dhe vizitat zyrtare, derisa, emisari Lajçak vlerësoi hapjen e qendrës për inspektime teknike në veri.

TRT Balkan / agjencitë