Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka akuzuar Serbinë për “kërcënime dhe frikësime të vazhdueshme” ndaj serbëve të Kosovës, pas dorëheqjes së tre policëve serbë të saporekrutuar nga Policia e Kosovës.
Në një reagim në platformën X, e njohur deri para pak kohe si Twitter, Osmani thotë se Serbia po i vazhdon taktikat e Sllobodan Millosheviqit.
“Dorëheqja e policëve të komunitetit serb është rezultat i drejtpërdrejtë i kërcënimeve dhe frikësimeve të vazhdueshme nga Serbia – një dëshmi se politikat e saj vazhdojnë të pasqyrojnë taktikat e Millosheviqit. Ne do të vazhdojmë të sigurojmë gjithëpërfshirje në të gjitha institucionet dhe një Kosovë më të sigurt për të gjithë”, ka publikuar Osmani në X.
Për dorëheqjen e policëve të komunitetit serb reagoi dje edhe shefi i EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano.
“Jam duke parë me shqetësim dorëheqjet e fundit të tre anëtarëve të posarekrutuar serbë të Kosovës në Policinë e Kosovës. EULEX-i po i ndjek nga afër këto zhvillime shqetësuese”, ka shkruar Barbano.
Sipas tij, përbërja e policisë duhet të pasqyrojë dhe të përfaqësojë shoqërinë së cilës i shërbejnë dhe mbrojnë.
“Anëtarët joshumicë të PK-së mund të kontribuojnë në sigurinë e komuniteteve të tyre nëpërmjet punës së tyre të orientuar nga komuniteti. Misioni është i përkushtuar të mbështesë përpjekjet e PK-së që synojnë zhvillimin e policisë efektive, efikase, përfaqësuese dhe të përgjegjshme në fushëveprim më të gjerë të sundimit të ligjit”, ka shkruar ai.
Vitin e kaluar, serbët e Kosovës u tërhoqën krejtësisht nga institucionet e shtetit, që rezultoi me zgjedhje të parakohshme lokale në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës dhe përshkallëzimin e tensioneve në atë zonë.