Është hapur përballë Teatrit Kombëtar në Prishtinë ekspozita personale “Mos ik” e autorit Eroll Murati.
Autori ka paraqitur një portret-skulpturë të lartë rreth 6 metër që duket sikur ka dalë nga toka dhe është nisur të “fluturojë” drejt një vendi tjetër, me qëllim të vetëdijesimit të qytetarëve për të mos migruar nga Kosova.
Në një deklaratë për AA, Murati tha se për realizimin e kësaj ekspozite është dashur të analizojë mirë forma të ndryshme se si del një objekt nga toka, për ta ngjasuar atë sa më afër realitetit.
Ai tha se ekspozita është thirrje për të rinjtë që të mos e lëshojnë vendin.
“Mesazhi i ekspozitës sime të titulluar 'Mos ik' është për parandalimin e zbrazjes së Kosovës nga të rinjtë e të gjitha profesioneve në vend”, theksoi Murati.
Murati tha se punimi i skulpturës ka qenë shumë i vështirë, por ia ka dalë mbarë me ndihmën edhe të babait dhe shoqërisë.
Sipas një ankete të publikuar nga Instituti Republikan Ndërkombëtar, me seli në ShBA, në nëntor të vitit 2021, 78 për qind e kosovarëve të moshës 18 deri në 35 vjeç do të largoheshin “përfundimisht” ose “ndoshta” nga vendi i tyre, nëse do të kishin mundësi.
Ndërkaq, sipas matjes së fundit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës të papunësisë në Kosovë në vitin 2021, shkalla e papunësisë tek të rinjtë është 48,6 për qind.