Gërvalla takon kryeministrin kroat, mbështetje për integrimin e Kosovës / Foto: AA

Kryeministri i Kroacisë Andrej Plenkoviq ka takuar sot zv/kryeministren dhe Ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, e cila ndodhet për vizitë zyrtare në Kroaci.

Plenkoviq theksoi marrëdhëniet e mira dhe miqësore ndërmjet Kroacisë dhe Kosovës. Ai potencoi mbështetjen që Kroacia i jep Kosovës në të gjitha forumet, me theks të veçantë anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare, veçanërisht në Bashkimin Evropian dhe Këshillin e Evropës, thuhet në kumtesën e Qeverisë kroate.

“Ai përshëndeti dorëzimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE dhe ritheksoi mbështetjen për liberalizimin e vizave me Kosovën”, kumton qeveria kroate.

Sa u përket marrëdhënieve dypalëshe, Plenkoviq theksoi potencialin për përmirësimin e mëtejmë të bashkëpunimit ekonomik pas forumit të fundit të biznesit kroato-kosovar të mbajtur në Prishtinë. Ai vuri në dukje kujdesin dhe shqetësimin e përhershëm të Kroacisë për pozitën e komunitetit kroat në Kosovë.

Ministrja e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, dje u takua me ministrin kroat të Punëve të Jashtme dhe Evropiane, Gordan Gërliq-Radman dhe presidentin kroat Zoran Millanoviq.

AA