Trupi gjykues i Gjykatës Speciale ka caktuar shumën 207 mijë euro për dëmshpërblim të viktimave në çështjen kundër Salih Mustafës. Kjo shumë do të ndahet në tetë viktima dhe përgjegjësinë e kompensimit e mban Mustafa. Pas këtij urdhri, turpi gjykues i ka kërkuar Kosovës të krijojë një mekanizëm për zhdëmtim në mënyrë që të kompensohen viktimat për të cilat vendosë Gjykata Speciale.
Urdhri për zhdëmtim është nxjerrë në praninë e të akuzuarit në seancën e së enjtes në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Kryesuesja e trupit gjykues, Mappie Veldt Foglia, ka ftuar Kosovën të krijojë një mekanizm zhdëmtimi për viktimat e krimeve të përfshira në juridiksionin e Dhomave të Specializuara.
“Trupi gjykues fton kryetaren e DhSK-së të caktojë autoritetin gjyqësor i cili do të jetë përgjegjës për monitorimin dhe mbikëqyrjen e vënies në jetë të zbatimit të këtij urdhri për zhdëmtim. Fton Kosovën të krijojë një mekanizëm të ri zhdëmtimi për viktimat e krimeve të përfshira në juridiksionin e DhSK-së. Urdhëron administratoren t’ia përcjellë këtë urdhër për zhdëmtim në versionin e redaktuar publik të tij qeverisë së Kosovës dhe rekomandon krijimin e një fondi me nismën e DhSK-së për viktimat e krimeve të përfshira në juridiksionin e DhSK-së, në rast se Kosova nuk i përmbush detyrimet e saj ndaj viktimave brenda një kohe të arsyeshme nëpërmjet krijimit të një mekanizmi për zhdëmtim”, ka thënë Foglia.
Ky është urdhri i parë për zhdëmtim në Gjykatën Speciale.
Salih Mustafa është i dënuar më 26 vjet burg pasi është shpallur fajtor për akuzat për krime lufte, ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme.