Gratë shumë pak të përfshira në proceset zgjedhore në Kosovë / Photo: AA

Në proceset e zgjedhjeve qendrore dhe atyre lokale përfshihen një numër i ulët i grave, është thënë në konferencën "Gratë në proceset zgjedhore: Sigurimi i një demokracie gjithëpërfshirëse".

Në këtë konferencë të organizuar nga Demokracia për Zhvillim (D4D), u vlerësua se partitë politike nuk po bëjnë mjaftueshëm për përfaqësim gjinor të barabartë në proceset zgjedhore.

Për këtë çështje, drejtori i Departamentit për Financa dhe Shërbime të Përgjithshme në KQZ, Nexhmedin Hyseni, tha se pjesëmarrja e grave në Trupa Menaxhuese Zgjedhore për vitin 2021 ishte rreth 30 për qind.

"Partitë politike, me aktet e tyre obligohen, domethënë e kanë obligim ligjor, ku thuhet që: Obligohen të zbatojnë masat për promovimin e pjesëmarrjes së barabartë të meshkujve dhe femrave në organet dhe trupat e partive në pajtim me dispozitat e nenit gjashtë të këtij ligji. Po flasim për ligjin për barazi gjinore", theksoi Hyseni.

Luljeta Demolli nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGj) ka thënë se në ligjin për zgjedhje nuk ka mjaftueshëm perspektivë për barazi gjinore. Ajo tha se partitë politike me liderët e tyre nuk janë ende të gatshëm që t'i çojnë këto çështje përpara.

"Vazhdimisht liderët e partive politike kohëve të fundit e përmendin, ose përfshirjen e grave në këto procese, por nuk është ende ajo e dëshirueshmja dhe shpresojmë që këto zgjedhje të reflektojnë më shumë", tha Demolli.

Ismet Kryeziu nga Demokracia në Veprim (DnV) të cilët monitorojnë proceset zgjedhore në vend, tha se barazia gjinore në proceset zgjedhore është vlerë që i ndihmon një demokracie të shëndetshme.

Ai thotë se partitë politike kanë dështuar në këtë proces, por që partitë politike nuk kanë bërë mjaftueshëm për t'u angazhuar për të pasur përfaqësim gjinor në proceset zgjedhore.

Përfaqësues të organizatave dhe institucionit të KQZ-së thanë se presin që në zgjedhjet e ardhshme qendrore dhe ato lokale të përmirësohet çështja e barazisë gjinore në procesin zgjedhor.

TRT Balkan / agjencitë