Grupi mercenar “Wagner” shfaqet në grafite në vendbanimet serbe në Kosovë / Foto: Kosovapress

Grafite me emrin e grupit mercernar rus “Wagner” janë shfaqur sot në muret e Mitrovicës veriore dhe në tabelat e komunikacionit në Zveçan, në Republikën e Kosovës.

Policia e Kosovës ka konfirmuar rastet dhe thotë se po vijojnë hetimet për të dyja rastet.

Besohet se mbishkrimet me ngjyrë të kuqe janë shfaqur të dielën më 22 janar.

Grupi ushtarak mercenar “Wagner” është në qendër të vëmendjes botërore pas përfshirjes së tyre në konfliktin Rusi-Ukrainë, duke marrë pjesë në sulme në territor të Ukrainës.

Emri i tyre u lakua edhe në Kosovë dhe Serbi. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti pohonte se në barrikadat në veri të Kosovës në dhjetor ishin prezentë edhe anëtarë të këtij grupi mercenar.

Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e akuzoi homologun serb Aleksandar Vuçiq se bashkëpunon me njësi paralimitare dhe terroriste siç është “Wagneri” për ta destabilizuar Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnjë e Hercegovinën.

Zyrtarët amerikanë potencuan se Wagner po ushtron aktivitete rekrutimi edhe në Serbi.

Ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, para disa ditësh i bëri thirrje grupit “Wagner” të mos rekrutojë shtetas serbë në luftën e tyre në Ukrainë.

Grupi paramilitar u shfaq për herë të parë në vitin 2014 gjatë krizës së atëhershme në Ukrainë.

TRT Balkan / agjencitë