Hapet ekspozita "Historitë e Vazhdimësisë" nga të rinjtë kosovarë dhe serbë / Photo: AA

Një ekspozitë me fotografi e titulluar si "Historitë e Vazhdimësisë" është hapur në Prishtinë, e cila paraqet veprat e të rinjve nga Kosova dhe Serbia.

Ekspozita iu kushtua Ditës Ndërkombëtare të Rinisë, 12 Gushtit, dhe u organizua nga Iniciativa Rinore për të Drejtat e Njeriut në Kosovë dhe Serbi, me qëllim që rinia kosovare dhe ajo serbe të socializohen së bashku.

Vitin e kaluar, më shumë se 60 pjesëmarrës janë bashkuar gjatë tri Shkëmbimeve Rinore në të dy vendet, duke krijuar vepra artistike frymëzuese që pasqyrojnë bashkëpunimin e tyre ndëretnik.

Ekspozita "Historitë e Vazhdimësisë" shfaq histori të shumta nga këta të rinj dhe të reja, nën drejtimin e Simon Kurtit, duke trajtuar tema të ndjeshme që hapin dyer të reja për rimendimin e bashkëjetesës.

Drejtoresha e YIHR-së në Kosovë, Marigona Shabiu, u shpreh se ekspozita shfaq nevojën për aktivitete të tilla për të afruar rininë kosovare dhe atë serbe.

“Ne jemi bërë bashkë këtu sot dhe po përpiqemi që të komunikojmë në mënyrë të qytetëruar për të kaluarën”, theksoi Shabiu.

Udhëheqësja e Zyrës se Politikave në Zyrën e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Ana Karenplato, tha se është e impresionuar me mesazhet dhe mënyrën për të kapur gjëra madhore me këtë projekt.

“Ky është një shembull për pjesën tjetër të shoqërisë, për atë se si pjesë të tjerë, sektorë të tjerë të shoqërisë, të shohin se si është e mundur të punohet bashkë. Prandaj, kemi kënaqësinë e veçantë që shohim rezultate të tilla, të jemi në gjendje të shohim për vuajtjet e njerëzve, shpresat e njerëzve, ëndërrat, si ata merren me të kaluarën përmes artit, jep me të vërtetë një dimension tjetër shtesë për atë se si të kuptojmë për vuajtjet e të tjerëve”, u shpreh ajo.

Ekspozita është financuar nga Bashkimi Evropian dhe Ambasada e Suedisë në Prishtinë.

AA