Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës (MPJD) në Kosovë ka njoftuar se ka refuzuar kërkesën e patriarkut tё Kishёs Ortodokse Serbe, Porfirie, për të vizituar Patriarkanën e Pejës ditën e sotme.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, MPJD-ja ka thënë se derisa Serbia vazhdon të shkelë Marrëveshjen e Brukselit, nuk do të lejohen vizitat e tilla.
“Përderisa Serbia vazhdon të shkelë marrëveshjen e Brukselit, të mos lejojë vizitat e zyrtarëve tanë shtetërorë në Serbi dhe për më tepër të mos ndalet me fushata kundër Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare, si në proceset integruese ashtu edhe ato të njohjes, të vazhdojë të përdorë gjuhë të urrejtjes dhe kërcënime kundër Republikës së Kosovës dhe përfaqësuesve të saj, nuk do të lejohen vizitat as nga ana jonë”, thuhet në njoftim.
MPJD-ja ka kërkuar nga shteti fqinj që të zbatojë Marrëveshjen Bazike dhe të veprojë me reciprocitet në raport me Kosovën dhe vizitat e ndërsjella.
“Ashtu siç dihet, Serbia ka krijuar grup ministror për ta shkelur Marrëveshjen Bazike dhe për të penguar anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës dhe përderisa vazhdon me këtë qasje dhe luftë me çdo mjet kundër Kosovës nuk do këtë aprovim te vizitave të tilla. Ne inkurajojmë Serbinë që të zbatojë Marrëveshjen Bazike dhe të veprojë me reciprocitet në raport me Kosovën dhe vizitat e ndërsjella”, thuhet tutje në njoftim.
Në një deklaratë lidhur me ndalimin e hyrjes në Kosovë të Patriarkut Porfirije sot, Kisha Ortodokse Serbe thotë se patriarku serb Porfirije u ndalua në pikën kufitare në Merdarë “pa asnjë shpjegim”.
“Nga pikëpamja e të drejtave të njeriut dhe lirive të çdo individi, vendimi për të ndaluar kreun e Kishës Ortodokse Serbe dhe ipeshkvijve të vizitojnë selinë e tyre të lashtë është i paarsyeshëm dhe i papranueshëm. Ky veprim pasqyron me saktësi statusin e kishës serbe dhe të popullit serb në Kosovë”, thuhet në njoftimin e tyre.
Patriarku u bëri thirrje të gjithë atyre që kanë ndikim në situatën në Kosovë që të bëjnë ç'është e mundur për t'i dhënë fund “shkeljes flagrante të të drejtave të njeriut të popullit serb, duke përfshirë të drejtën për lirinë e lëvizjes për Patriarkun serb, peshkopët dhe klerikët”.
Edhe partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, në një reagim publik e dënoi ashpër këtë vendim.
“Ky vendim është një tjetër me qëllim të persekutimit dhe ndalimit të çdo gjëje serbe në Kosovë para syve të bashkësisë ndërkombëtare, e cila është shumë e shkathët dhe e zhurmshme kur bëhet fjalë për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve. Sot ata heshtin dhe nuk flasin për këtë sjellje të turpshme antiqytetëruese të Kurtit në shekullin e 21-të”, thuhet në njoftim.