Burgu i Prishtinës, i cili ishte ndërtuar në fund të viteve të 40-ta pas Luftës së Dytë Botërore, është shndërruar në muze me qëllim që të përcillen përvojat e shqiptarëve të dënuar politik nga hapja e tij deri në çlirimin e Kosovës në vitin 1999.
Deri në çlirimin e vendit në vitin 1999 ky burg njihej si “Burgu i Pendesës”, për shkak se ata që u burgosnin aty nga regjimi serb synohej të lirohen të penduar nga ideja për të kërkuar republikë, vetëvendosje dhe kushtetutë për Kosovën.
Muzeu u hap me një ekspozitë të përkohshme që shfaqte vizatime të bëra nga të burgosurit, derisa vuanin dënimin në mes të katër mureve.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, tha se po e shndërrojnë qendrën e paraburgimit në një aset kulturor dhe në qendër përkujtimi.
Çeku tha se burgu, nga i cili të burgosurit nuk e dinin nëse do të dilnin jashtë të gjallë, po i hapë dyert për të mos i mbyllur më.
“Ky institucion muzeal do të rrëfejë historinë e ish-të burgosurve politikë të cilët përjetuan tortura të pa-imagjinueshme nga regjimet shtypëse e gjenocidale të ish-Jugosllavisë e Serbisë vetëm pse ishin shqiptarë dhe u angazhuan politikisht për përmbushjen e të drejtave politike të popullit të tyre, të popullit shqiptar”, theksoi Çeku.
Ai tha se këtë histori duhet rrëfyer edhe gjithë botës për të dokumentuar krimet e ish-Jugosllavisë e Serbisë karshi shqiptarëve me kërkesën e tyre për liri.
Ministri Çeku gjithashtu paralajmëroi se do të vazhdojnë me projektin e restaurimit të këtij paraburgimi duke përzgjedhur edhe stafin e përhershëm me synimin që të shndërrohet në një nga institucionet muzeale më të vizituara në vend.
Përfaqësuesi i të burgosurve dhe njëri nga ish-të burgosurit e këtij burgu, Hydajet Hyseni, tha se burgu i Prishtinës ishte ndërtuar mbi gërmadhat e një shkolle të kohës ndërsa pikërisht ky burg u kthye në shkollë diturie e pjekurie për të prangosurit atdhetarë.
Ai tha se të burgosurit e kanë provuar këtë burg “duke lënë të gjitha ëndrrat jashtë”.
“Urojmë që duke e kthyer burgun në një muze të ri edhe Prishtina jonë të ketë në vijimësi një objekt monumental në mënyrën e vet dyfish reflektues edhe shkollorë-edukativ dhe frymëzues por edhe memorial përkujtues: Falim por nuk harrojmë!”, theksoi Hyseni.
Funksionimi i këtij burgu ka përfunduar në vitin 2016, kur në Hajvali të Prishtinës, u ndërtua Burgu i ri i Prishtinës. Ai u mbyll pas një vlerësimi të organizatës ndërkombëtare "Amnesty International", e cila në vitin 2015 theksoi se “aty nuk janë kushtet për t’u mbajtur të burgosurit”.
Përpos veprimtarit të njohur të çështjes kombëtare, Adem Demaçi, në këtë burg janë mbajtur e malltretuar edhe atdhetarë tjerë të mëdhenj si Fazli Graiçevci, Rexhep Mala, Ukshin Hoti dhe kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti.
Dokumentim i historisë që të mos përsëritet
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke e kujtuar historinë e Burgut të Prishtinës, tashmë të shndërruar në Muze, përmes facebook-ut, shkroi se brenda 17 qelive të ish-Burgut të Prishtinës rrojnë histori të shumta të dhunës së regjimit serb mbi patriotët shqiptar, që nga ndërtimi i tij në vitet e 50-ta, e deri në vitin 1999
“Kjo ndërtesë, që e kemi shndërruar në Muze të Burgut të Prishtinës, do të restaurohet e konservohet tërësisht, për ekspozitën e përhershme, e në funksion të Muzeut të plotë të Burgut të Prishtinës. Nga sot, kjo ndërtesë është aset i mbrojtur i trashëgimisë kulturore. Si kujtesë e idealit dhe qendresës, e si përkujtim për torturat e terrorin e përjetuar nga shumë të burgosur”, shkruan Kurti.
Sipas tij, Ky burg tashmë i hapur, do të ruajë e dokumentojë historinë tonë të vështirë, në përkujdesje që të mos përsëritet më kurrë.
13 Kor 2022
Ish-Burgu i Prishtinës shndërrohet në Muze: Shumë histori në 17-të qeli
Dikur shkollë e pastaj burg. Por, tashmë "Burgu i Pendesës" është kthyer në një aset të trashigimisë kulturore në Kosovë
TRT Balkan / agjencitë
Lajme të ngjashme
Artikujt në këtë kategori
Monumenti i simbol i pavarësisë së Kosovës "NEWBORN" merr pamje të re
"E pëlqeve apo e urreve, e deshe apo ia pate frikën, Inteligjenca Artificiale është këtu, edhe çdo ditë e më shumë po bëhet pjesë e pashmangshme e jetëve tona", ka thënë Ismaili për dizajnin e këtij viti të monumentit të pavarësisë.
Çfarë tjetër do të donit të dinit?
Popullore
Gjykata Speciale kufizon kontaktet për Thaçin, Veselin dhe Selimin
Ky vendim, siç njofton Gjykata Speciale, vjen si përgjigje ndaj përpjekjeve për të ndërhyrë te dëshmitarët e për të penguar dëshmitë e tyre, dhe kërcënimeve të mëtejshme ndaj integritetit të procesit në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët.