Dhjetë deputetë të listës serbe i kanë dorëzuar sot edhe zyrtarisht dorëheqjet e tyre të parevokueshme Kuvendit të Kosovës, pasi të shtunën të gjithë përfaqësuesit serbë janë tërhequr nga Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës, si dhe nga të gjitha institucionet në veri të Kosovës.
Ilir Kerceli, shefi i kabinetit të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka konfirmuar se dorëheqjet e deputetëve serbë i janë dorëzuar administratës parlamentare.
Lista serbe në zgjedhjet e fundit parlamentare të mbajtura në tetor 2021 fitoi të 10 mandatet në Kuvendin e Kosovës të rezervuara me Kushtetutën e Kosovës për komunitetin serb.
Të dhjetë deputetët e listës serbe në Kuvendin e Kosovës, një ministër në Qeverinë e Kosovës, kryetarët e katër komunave në veri të Kosovës, si dhe të gjithë përfaqësuesit e serbëve në gjykatat dhe policinë e Kosovës, kanë paraqitur dorëheqjet e tyre të shtunën e 5 nëntorit.
Ndërkohë Këshilli Prokurorial i Kosovës sot është njoftuar me ofrimin e dorëheqjes së edhe 10 prokurorëve të komunitetit serb të Prokurorisë Themelore të Mitrovicës.
Siç u tha pas tërheqjes nga institucionet e Kosovës, vendimi i tyre mbetet në fuqi derisa Prishtina të tërheqë “vendimet e njëanshme dhe të paligjshme” për riregjistrimin e targave dhe të formojë një Bashkësi të Komunave me shumicë serbe në përputhje me Marrëveshjen e Parë të Brukselit.
Tërheqjes nga institucionet i ka paraprirë refuzimi i drejtorit të policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, që të lejojë policët serbë në veri të Kosovës të zbatojnë urdhrin e Qeverisë së Kosovës për ndëshkimin e qytetarëve për automjetet që nuk janë riregjistruar me targa RKS (Republika e Kosovës), me ç’rast Qeveria e Kosovës të njëjtin e suspendoi.
Kryekuvendari Glauk Konjufca ka thënë se zhvillimet në veri janë mbulim i refuzimit serb të propozimit franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Ai theksoi se thelbi i këtij propozimi ka qenë që Serbia të heqë dorë prej Kosovës. Sipas tij, Serbia dëshiron të imponojë fakte të reja në teren, në mungesë të realizimit ‘Republikës serbe’, nëpërmjet dialogut. Ai i bëri thirrje gjithë spektrit politik që të jenë të bashkuar.
Këto komente Konjufca i bëri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të hënën, ku theksoi se dorëzimi i mandatit të deputetëve të Listës Serbe nuk paraqet ndonjë krizë kushtetuese.