Kosova në 2022 më së shumti importoi nga Türkiye.     Foto: ATA

Republika e Kosovës ka importuar 5,6 miliardë euro mallra gjatë vitit 2022, ndërsa ka eksportuar mallra në vlerë prej 869 milionë eurove.

Në një konferencë për media ku u përmblodhën bilancet e vitit 2022, drejtori i Doganës, Agron Llugaliu, tha se Kosova ka importuar mallra me rreth 1 miliardë më shumë krahasuar me 2021, ndërsa vendi i parë nga i cili ka importuar më së shumti është Türkiye.

“Türkiye është dukshëm vendi nga i cili importojmë më së shumti. Kjo ka ndikuar pak edhe për shkak të rënies së numrit të automjeteve që vijnë kryesisht nga Gjermania për shkak të ndryshimit të çmimeve të automjeteve në nivel global dhe për shkak të ofertës së kufizuar”, theksoi Llugaliu.

Duke folur për të hyrat doganore për vitin 2022, Llugaliu tha se të hyrat nga dogana kanë tejkaluar projeksionet e këtij institucioni, duke grumbulluar 154 milionë euro më shumë krahasuar me vitin 2021.

Gjatët vitit të kaluar nga Serbia në Kosovë janë importuar mallra në vlerë prej 370 milionë euro.

Sa i përket bashkëpunimit me institucionet e tjera, Llugaliu tha se janë zhvilluar 92 operacione të përbashkëta të kontrollit, ndërsa 16 persona janë arrestuar.

“Te sekuestrimet gjatë vitit 2022 kemi pasur gjithsej 11,3 milionë euro, përkundër 9 milionëve sa kanë qenë vitin 2021. Ndërsa sa u përket gjobave, kemi dhënë gjithsej 1,8 milion euro gjoba krahasuar me 1,3 milion euro vitin 2021”, theksoi ai.

Tutje, Llugaliu tha se Dogana në kuadër të mbrojtjes së shoqërisë ka pasur gjatë vitit 2022 edhe raste të ndryshme të zbulimit të mallrave të ndryshme të narkotikëve.

Ai veçoi rastin e konfiskimit të 83 kilgoramëve heroinë që vinin nga Türkiye, për të cilën Dogana e Kosovës ka bashkëpunuar me autoritetet turke.

Dogana e Kosovës, sipas raporteve të cilave u është referuar ky institucion, gjatë vitit 2022 ka rritur edhe besueshmërinë e publikut në këtë institucion me 46 për qind, ndryshe nga viti 2021, kur ka qenë 45 për qind ose viti 2020 ku besueshmëria ka qenë 38 për qind.

TRT Balkan / agjencitë