Kosova nga sot deri më 2 qershor është nikoqir i ushtrimit nderkombetar "Defender '23", me ç'rast Forca e Sigurisë së Kosovës do të tregojë kapacitetet e saj luftarake, e po ashtu shkallën e ndërverprueshmërisë ushtarake.
Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, në fjalimin tij me rastin e shënimit të Ditës Promovuese, tha se në këtë ushtrim do të marrin pjesë 25 shtete me mbi 22 mijë ushtarë.
"Republika e Kosovës si vend pritës do të ketë mbi 1.300 ushtarë, pra ne do të jemi vendi i katërt me më së shumti ushtarë në këtë ushtrim", shkruan Mehaj në Facebook.
Përgatitjet për realizimin e suksesshëm të “Defender Europe 23” siç paralajmëroi Mehaj kanë filluar që një vit e gjysmë.
"Trajnimet e vazhdueshme, investimi në blerje të pajisjeve dhe sistemeve të armatimit, shkollimet dhe stërvitjet kanë qenë intensive dhe i kanë paraprirë këtij ushtrimi", thekson Mehaj.
Ai mes të tjerash potencoi se gjatë këtyre dy viteve fokusi ynë kryesor ka qenë në rritjen e numrit të ushtarakëve, trajnimi, stërvitja dhe shkollimi i tyre, pastaj ngritjen e kapaciteteve luftarake nëpërmjet blerjes së pajisjeve dhe sistemeve të armatimit, e gjithë kjo është bërë jo për të sulmuar dikë, por për të mbrojtur vendin tonë.
"Atdheun e çliruar dhe lirinë e fituar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ne do ta mbrojmë kurdoherë që të jetë e nevojshme. E kaluara jonë na ka mësuar që për të fituar lirinë duhet derdhur gjak, ndërsa për ta ruajtur paqen duhet derdhur mund e djersë", shkruan Mehaj.
Përfundimi i suksesshëm i ushtrimit “Defender Europe 23”, sipas ministrit Mehaj do të dëshmojë që ushtria e Kosovës është e aftë dhe e gatshme për të bashkëvepruar me ushtritë partnere të vendeve të NATO-s.