Kosovë, 50 milionë euro më shumë të hyra tatimore në 6 muajt e parë të 2024 / Photo: AA

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka mbledhur 50 milionë euro më shumë të hyra tatimore në gjashtëmujorin e parë të vitit 2024, krahasuar me vitin paraprak.

Me këtë shifër janë tejkaluar objektivat e vëna nga ATK-ja, deklaroi Drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj.

"Kemi tejkaluar objektivat tona të të hyrave tatimore. Indikator kyç i performancës janë të hyrat tatimore. Gjatë këtyre 6 muajve kemi mbledhur 50 milionë euro më shumë të hyra se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar", theksoi Murtezaj.

Sipas tij, gjatë këtyre gjashtë muajve të parë të vitit janë zhvilluar mbi 14 mijë inspektime të ndryshme dhe mbi 900 kontrolle të rrepta dhe si rezultat i kësaj ka tatim shtesë të grumbulluar.

"Nuk është se i mburremi identifikimit të rasteve të tilla, por është një parandalim i shmangieve nga tatimi", ka thënë Murtezaj duke shtuar se kanë ndërmarrë një sërë aktivitetesh në luftën kundër evazionit tatimor.

Të hyrat erdhën nga tatimet me 473,3 milionë euro, që krahasuar me periudhën e njëjtë vitin e kaluar ka rritje për 50,1 milionë euro si dhe kontributet pensionale janar-qershor që ishin 147,8 milionë euro.

Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2023 të hyrat e ATK-së ishin 423 milionë euro.

AA