Kosovë, ambasadori i Türkiyes viziton Prekazin / Foto: AA

Ambasadori i Türkiyes në Kosovë, Sabri Tunç Angılı, ka vizituar fshatin Prekaz në Skënderaj ku ndodhet varri i komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, dhe familjes së tij.

Fillimisht, ambasadori Angılı vendosi kurora me lule për rënien e heroit kombëtar Adem Jashari dhe familjes së tij, ndërsa më pas vizitoi edhe shtëpinë e Jasharëve.

Ambasadori Angılı u prit nga Rifat Jashari, vëllai i Adem Jasharit, derisa pas takimit me Rifat Jasharin tha për Agjencinë Anadolu se Kosova zë një vend të veçantë në zemrat e popullit turk.

Angılı tha se Türkiye e ka përkrahur dhe vazhdon ta përkrahë popullin e Kosovës në çdo mënyrë.

"Kosova ka një vend të veçantë në zemrat tona. Pas tërmetit të 6 shkurtit, Kosova ishte një nga vendet e para që i erdhi në ndihmë popullit turk. Ne nuk do ta harrojmë kurrë këtë. Jam këtu sepse desha ta shoh me sytë e mi se si filloi përpjekja për pavarësi", tha Angılı.

Rifat Jashari, nga ana tjetër, shprehu falënderime për Türkiyen dhe i dërgoi ngushëllime të gjithë atyre që humbën më të dashurit e tyre nga tërmeti i 6 shkurtit në Türkiye duke u lutur që të gjallëve Zoti t'u japë forcë dhe durim, ndërsa të vdekurit "Zoti t'i ketë marrë në mëshirën e Tij".

"Së pari e falënderoj ambasadorin e Türkiyes në Kosovë, e falënderoj edhe presidentin Erdoğan që edhe gjatë periudhës së luftës ishte në krahun tonë, në ndihmën tonë dhe sot e asaj dite përsëri është me ne dhe na ndihmon në të gjitha mënyrat. Besoj që do të jemi gjithmonë bashkë dhe kjo është dëshmuar pasi u bë sheshi 'Adem Jashari' në Sivas dhe besoj se kjo lidhje do të jetë brez pas brezi", tha Jashari.

AA