Kosovë: Gërvalla takon Fajonin, mirënjohje për miqësinë sllovene / Foto: AA

Sllovenia është avokate e shquar për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, tha Ministrja e Jashtme dhe e Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, pas takimit me homologen sllovene Tanja Fajon sot në Prishtinë. Sipas Gërvallës, Sllovenia vazhdimisht ka bërë presion që BE-ja të bëjë më shumë për Ballkanin Perëndimor. Kryediplomatja e Kosovës tha se vendi i saj synon t’i bashkëngjitet Sllovenisë edhe në NATO, sidomos pas rrethanave politike që rrezikojnë edhe rajonin sipas saj.

"Rajoni ynë është në një fazë të rrezikshme të historisë evropiane, duhet të përballemi me këtë realitet të ri sepse duke mos reaguar atëherë vetëm sa do të bëhet edhe më serioze situata jonë. Sllovenia është gjithashtu edhe anëtare e NATO-s dhe Kosova gjithashtu në vazhdimësi nuk e ka fshehur aspiratën e saj për t’u anëtarësuar sa më shpejt në NATO si një aspiratë e cila do ta sillte Kosovën më afër vendeve me të cilat e lidhin vlerat", theksoi Gërvalla.

Gërvalla theksoi se agresioni rus ndaj Ukrainës po e kthen luftën si një mjet të politikës hegjemoniste, ndërsa Serbia, si aleat dhe përfaqësuesi më i afërt i Rusisë në rajon, po e kërcënon me luftë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Zv/Kryeministrja dhe Ministrja e Jashtme e Sllovenisë, Tanja Fajon, tha se të gjithë janë të shqetësuar për rreziqet e sigurisë në Ballkan dhe për këtë duhet një Ballkan Perëndimor i fortë dhe një Kosovë e fortë.

"Kosova duhet të ndikojë dhe të përpiqet për normalizimin e marrëdhënieve dhe nuk duhet të ketë eskalim të situatës në veri të Kosovës duke filluar negociatat për të diskutuar propozimin e sponsorizuar të Bashkimit Evropian që e kanë në tavolinë në lidhje me normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë", theksoi Fajon.

Fajon tha se Sllovenia është mike e Kosovës dhe ka nevojë të bashkëpunojë me Kosovën në shumë fusha të ndryshme si në burime energjetike, administrimin e ujërave dhe mbeturinave, ndërsa theksoi se ambienti biznesor në Kosovë duhet të jetë i sigurt dhe i qartë ndaj investitorëve të huaj.

AA