Banka Qendrore e Kosovës ka publikuar sot të dhënat për remitancat nga mërgimtarët për gjysmën e parë të këtij viti. Sipas raportit, në Kosovë kanë hyrë rreth 635 milionë euro remitanca në periudhën janar-qershor të vitit 2023.
“Vlera e remitancave deri në fund të qershorit 2023 shënoi rreth 635 milionë euro, që paraqet rritje prej 13% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022. Remitancat kryesisht vijnë nga shtetet e BE-së, rreth 60% e gjithsej remitancave, prej të cilave kryeson Gjermania me 38,1% dhe ndiqen nga Zvicra me 17,6% dhe ShBA-ja rreth 7,5%”, thuhet në njoftimin e BQK-së.
Rritje ka edhe në remitancat mujore në qershor, krahasuar me qershorin e vitit të kaluar.
“Remitancat në muajin qershor 2023 ishin 123,9 milionë euro, që paraqet rritje prej 18% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022. Prurjet më të mëdha të remitancave gjatë këtij muaji ishin nëpërmjet agjencive për transferimin e parave dhe kanaleve të tjera, konkretisht nëpërmjet IFJB 58,4 %, bankave 15,4% dhe kanalet e tjera 26,2%”, njofton BQK-ja.