Me moton globale "Qeverisja efektive e Inteligjencës Artificiale në të gjitha nivelet", Kuvendi i Kosovës po e shënon Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë.
Në hollin e Kuvendit të Kosovës, ku u mbajt ceremonia hapëse e këtij manifestimi, mori pjesë kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, deputetë të Kuvendit, organizata joqeveritare si dhe nxënës të shkollave fillore.
Kryetaparlamentari Konjufca tha se shënimi i kësaj dite është i rëndësishëm për ta theksuar rëndësinë e idealeve të lirisë, barazisë, drejtësisë dhe për ndërtimin e shoqërive gjithëpërfshirëse, krahas sulmeve dhe tendencave në rritje që ekzistojnë për ta minuar dhe për ta sfiduar demokracinë.
Ai tha se Kosova ka shënuar progres demokratik deri tani, duke qëndruar paralelisht përkrah botës demokratike.
"Demokracia mirëmbahet nëpërmjet angazhimit qytetar, sepse pasqyron vlerat dhe aspiratat tona të përbashkëta. Është detyrë dhe obligim i secilit prej nesh që të jemi pjesëmarrës aktiv në vendimmarrje dhe të avokojmë pa u ndalur për ndryshime pozitive", theksoi Konjfuca.
Kryetarja e Forumit për Transparencë Parlamentare, Arbëresha Kryeziu, tha se falë bashkëpunimit me organizata e shoqërisë civile e organizatat ndërkombëtare, është rritur demokracia, llogaridhënia dhe transparenca e Kuvendit të Kosovës.
"Kuvendi sot është më i hapur e më i qasshëm si asnjëherë më parë. Dhe, sigurisht për këtë arsye, është rritur dhe transparenca dhe llogaridhënia është më e madhe", theksoi Kryeziu.
Dita Ndërkombëtare e Demokracisë u caktua nga Kombet e Bashkuara për t'u shënuar më 15 shtator, me qëllim inkurajimin e qeverive që të forcojnë programet kombëtare për promovimin dhe konsolidimin e demokracisë.
Në kuadër të kësaj dite në Kosovë janë paraparë një sërë aktivitetesh që do të mbahen në ambientet e Kuvendit të Kosovës.