Kosovë, sulmohet me mjet shpërthyes objekti i komunës në veri të Mitrovicës

Kosovë, sulmohet me mjet shpërthyes objekti i komunës në veri të Mitrovicës

Nuk raportohet për lëndime në njerëz, përveç dëmeve materiale të shkaktuara në dy vetura zyrtare të policisë.
Kosovë, sulmohet me mjet shpërthyes objekti i komunës në veri të Mitrovicës / Foto: Kosovapress

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në orët e vona të mbrëmjes të ditës së hënë nga person/a të dyshuar është sulmuar me mjet shpërthyes objekti i komunës në Veri të Mitrovicës.

Siç njofton Policia, bazuar në informatat zyrtare dyshohet se në oborrin e objektit komunal në veri të Mitrovicës, afër hyrjes së objektit "është hedhur një mjet shpërthyes, i cili dyshohet të ketë qenë granatë dore, me ç’rast ka shkaktuar disa dëme materiale në veturat zyrtare".

"Fatmirësisht nuk raportohet për lëndime në njerëz, përveç dëmeve materiale të shkaktuara në dy vetura zyrtare të policisë. Në konsultim me prokurorin kompetent është iniciuar rasti, kryerja e veprës terroriste", njofton policia.

Policia e Kosovës njoftoi se do të vazhdojë të angazhohet në ofrim të sigurisë dhe parandalim të akteve të tilla kriminale ndaj zyrtarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës.

Situata në katër komunat veriore të Kosovës është në tension që nga fillimi i protestave të qytetarëve serbë atje më 26 maj.

Përfaqësues të Bashkimit Evropian kanë kërkuar mbajtje të zgjedhjeve të reja lokale në këto komuna, si mënyra e vetme e daljes nga tensionet.

AA