Kosovë, veteranët e UÇK-së protestojnë kundër EULEX-it / Foto: AA

Organizata e veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ka protestuar sot kundër arrestimeve dhe bastisjeve të fundit nëpër shtëpi, të cilat janë kryer nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) me urdhër të Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës në Hagë.

Në shenjë proteste, pjesëmarrësit hodhën telefona celularë në oborrin e selisë së EULEX-it në Fushë Kosovë.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Faton Klinaku, tha se Gjykata Speciale dhe EULEX-i po shqetësojnë familjet e ish-pjesëtarëve të UÇK-së dhe luftëtarëve të rënë, duke kontrolluar shtëpitë e tyre dhe duke uа konfiskuar telefonat.

“Që nga përfundimi i luftës së UÇK-së populli është përballur me shumë sfida e padrejtësi. UNMIKU kishte mandat që të gjykonte krimet e kryera në Kosovë por akuzoi e gjykoi vetëm shqiptarë. EULEX-i kishte mandat gjykimin e krimeve të kryera në Kosovë, por akuzoi e gjykoi vetëm shqiptarët. Dhomat e Specializuara të Kosovës gjykojnë vetëm shqiptarët, por jo krimet e kryera në Kosovë, por jo krimet dhe masakrat që i ka shkaktuar pushtuesi serb ndaj civilëve. Ato gjykojnë luftën tonë çlirimtare, gjykojnë vetëm UÇK-në duke e quajtur edhe ndërmarrje e përbashkët kriminale", tha Klinaku.

Anëtarët e misionit të EULEX-it, të ngarkuar me ekzekutimin e urdhrave të Dhomës së Specializuar të Kosovës në Hagë, së fundmi bastisën shtëpitë e disa ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ua konfiskuan telefonat. Avokati i Arben Mustafës, vëllait të Salih Mustafës, i dënuar në shkallë të parë për krime lufte, ka deklaruar se kontrolli dhe sekuestrimi i telefonit është bërë për shkak të dyshimit se është kryer vepra penale “pengim i drejtësisë”.

Këtë javë, EULEX-i ndaloi dhe konfiskoi telefonat e ish-komandantit të UÇK-së, Rustem Mustafa, dhe ish-luftëtarit të UÇK-së, Nait Hasani, si dhe kontrolloi shtëpinë e luftëtarëve të rënë Fahri dhe Bahri Fazliu.

TRT Balkan / agjencitë