Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës "Adem Jashari" ka inauguruar zgjerimet e fundit të infrastrukturës së tij.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, nëpërmjet rrjeteve sociale, tha se në kuadër të zgjerimit të aeroportit janë ndërtuar dy hapësira të reja dhe janë shtuar katër porta.
Bislimi tha se aeroporti po rritet dhe zgjerohet për të gjithë udhëtarët që fluturojnë përmes tij, veçanërisht për kushte më të mira edhe për diasporën kosovare.
"Këtë javë u mbajt ceremonia e inaugurimit të punimeve të fundit, ku në kuadër të zgjerimit të infrastrukturës janë ndërtuar dy hapësira të reja e janë shtuar katër porta, me rreth 1.300 m2 shtesë ndërtim. Tashmë numri total i portave të fluturimeve mbërrin në 12 nga 8 sa ishin më herët, duke vazhduar me rritjen e kapacitetit të terminalit", theksoi Bislimi.
Bashkë me zëvendëskryeministrin Bislimi, në inaugurimin e përfundimit të punimeve në aeroport, morën pjesë edhe ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, dhe përfaqësues të aeroportit i cili menaxhohet nga kompania turke LIMAK nga viti 2011.