Kosovë, zhvillohet paneli për investimet turke / Photo: AA

Paneli me temë “Investimet Turke dhe Mundësitë e Bashkëpunimit në Kosovë” është organizuar në qytetin e Prizrenit.

Paneli u mbajt në bashkëpunim me Shoqatën e Tregtarëve të Prizrenit “ESNAF”, Odën Ekonomike Kosovaro-Turke (KTTO) dhe Shoqatën e të Diplomuarve në Türkiye “TÜMED”.

Në këtë panel ishin të pranishëm Ministri i Zhvillimit Rajonal të Kosovës, njëherësh kryetar i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP), Fikrim Damka, ambasadori i Türkiyes në Kosovë Sabri Tunç Angılı, Konsulli i Përgjithshëm i Prizrenit Celal Doğan, Drejtori Ekzekutiv i KTTO-së Meriton Sunduri, kryetari i Shoqatës së Tregtarëve të Prizrenit Varis Xhejlani, biznesmenë turq dhe të ftuar të tjerë.

Ambasadori Angılı tha në fjalimin e tij se pas pandemisë së COVID-19 mes Türkiyes dhe Kosovës ka pasur një hap të madh në tregti.

Duke theksuar se kompanitë kosovare kanë filluar të zgjedhin Türkiyen si qendër furnizimi, Angılı tha se marrëdhëniet komerciale të Kosovës me Türkiyen, partnerin më të madh tregtar në dy vitet e fundit, kanë kaluar në një dimension tjetër.

Ministri Damka po ashtu tha se synojnë të sjellin më shumë investitorë turq në Kosovë dhe që biznesmenët turq të kenë qasje më të lehtë në tregun evropian përmes Ballkanit.

Në prezantimet e bëra pas fjalëve hyrëse, u diskutuan tema si mjedisi investues në Kosovë, bashkëpunimi ekonomik Kosovë-Türkiye dhe vështrimi i botës së biznesit nga këndvështrimi i të diplomuarve.

Türkiye cilësohet si vendi nga i cili Kosova importoi më së shumti në vitin 2022 dhe 2023.

Marrëveshja që përcakton tregtinë e lirë ndërmjet Kosovës dhe Türkiyes hyri në fuqi në vitin 2019.

AA