Në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se pesha e mungesës rëndon mbi familjet e 1.617 personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë.
Kurti u bëri thirrje partnerëve ndërkombëtarë që ta rrisin presionin mbi Serbinë për çështjen e të zhdukurve në Kosovë.
“Sot e gjithnjë u bëj thirrje partnerëve ndërkombëtarë që ta rrisin presionin mbi Serbinë, si përgjegjëse për zhdukjen e qytetarëve tanë, për të zbardhur fatin e tyre dhe për të vënë drejtësi duke dënuar përgjegjësit politikë, ushtarakë e policorë për këto krime”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Ai ka shkruar në Facebook se nënat presin ditën kur do të vendosin nga një lule në kujtim të më të dashurve të tyre dhe, sipas tij, atyre që u rrëmbyen e zhdukën me dhunë nga autoritetet e Serbisë urdhërdhënëse dhe ekzekutore.
Kurti theksoi se varret e hapura në Kosovë presin të vërtetën.
“Pas rënies së Millosheviqit, në Serbi u zbuluan pesë varreza të mëdha masive, me gjithsej 950 njerëz tonë të rrëmbyer e të vrarë, të vrarë e të rrëmbyer, në Batajnicë, Peruqac, Petrovo Selo, Rudnicë e Kizhevak. Serbia ende vazhdon të qëndrojë mbi varre masive teksa i mohon ato”, shkruan Kurti.