Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e uroi kryeministrin e sapozgjedhur të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoskin. Në një publikim në X, Kurti thotë se vendi i tij është aleat dhe partner i ngushtë me Maqedoninë e Veriut në bashkëpunimin rajonal dhe orientimin euro-atlantik.
“Urime Hristijan Mickoski për zgjedhjen tuaj si Kryeministër i Republikës së Maqedonisë së Veriut. Kosova dhe Maqedonia e Veriut nuk janë vetëm fqinjë, por aleatë dhe partnerë të ngushtë në orientimin në NATO, bashkëpunimin rajonal dhe integrimin në BE”, publikoi Kurti në X.
Ai theksoi se me Qeverinë e re të Maqedonisë së Veriut do të fokusohen në projekte të përbashkëta infrastrukturore dhe bashkëpunime që lidhen me mbrojtjen dhe sigurinë.
“Nga rruga Prizren-Tetovë deri te mbrojtja dhe siguria, pres me padurim të punoj me ju për të përmirësuar edhe më tej marrëdhëniet tona tashmë të forta dypalëshe”, shkruan më tej Kurti.
Hristijan Mickoski u zgjodh kryeministër i Maqedonisë së Veriut në mandatin e tij të parë të dielën. Pjesë e Qeverisë së tij është edhe koalicioni shqiptar VLEN dhe partia ZNAM.