Takimi i liderëve: Mësohen datat e zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut      / Foto: AA

Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut u mbajt takimi i liderëve, ku të ftuar ishin kryetarët e partive politike parlamentare.

Siç tha kryeministri Dimitar Kovaçevski pas mbarimit të takimit, në të u bisedua për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut, ndryshimet në Kodin Zgjedhor në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, si dhe datën e zgjedhjeve të rregullta presidenciale dhe parlamentare që do të mbahen në vitin 2024.

“Ajo që konstatuam në takim është se zgjedhjet e rregullta do të mbahen më 24 prill, përkatësisht raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale dhe 8 maji për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare. Sipas ligjit, nga 28 janari do të ketë qeveri teknike, pra 'qeveri të Përzhinos' dhe obligimi ligjor që e kam unë si kryeministër do të përmbushet dhe sigurisht që do të përmbushet edhe marrëveshja e koalicionit”, tha kryeministri Kovaçevski.

Kryetari i partisë më të madhe opozitare VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, tha se në takimin e liderëve janë arritur tri konkluzione të rëndësishme. Duke folur për nevojën e miratimit të amendamenteve kushtetuese, si kusht për vazhdimin e rrugës së integrimit evropian të vendit, ai tha se në këtë moment nuk janë krijuar kushtet për ndryshime kushtetuese.

Ai tha gjithashtu se është arritur marrëveshje për ndryshime në Kodin Zgjedhor në përputhje me rekomandimet e OSBE-së dhe ODIHR-it, por ka theksuar se nuk është respektuar rregulli që ndryshimet të miratohen 6 muaj para fillimit të fushatës zgjedhore.

"U dakorduam që raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale të mbahet më 24 prill 2024, ndërsa raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale së bashku me zgjedhjet parlamentare do të mbahet më 8 maj 2024”, tha Mickoski.

Kryetarët e partive opozitare shqiptare u larguan para kohe nga takimi i liderëve. Ata në një deklaratë për media thanë se nuk janë marrë parasysh kërkesat e tyre për të pasur përfaqësues të tyre në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve (KShZ).

TRT Balkan / agjencitë