I dyshuari kryesor për vrasjen e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezhovskit, Lupço Palevski - Pallço, është arrestuar sonte në Türkiye, konfirmoi ministri maqedonas i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, në konferencën e sontme për media.
“Sapo kemi marrë një njoftim nga kolegët nga Türkiye mike se krijuesi, planifikuesi, koordinatori kryesor dhe ekzekutori i drejtpërdrejtë është kapur dhe privuar nga liria në territorin e tyre, identike me njohuritë tona operacionale në rrugën e lëvizjes së të dyshuarit“, tha ministri Spasovski.
Arrestimi vjen pas fletarrestit ndërkombëtar për Palevskin, të cilin Ministria e Punëve të Brendshme e lëshoi dje.
“Lupço Palevski i lindur me 12.12.1964 në Shkup, me urdhër ndërkombëtar kërkohet për hetimin e veprave penale “rrëmbim” dhe “vrasje” në bazë të urdhrit XV KO nr. 3047/23 të lëshuar nga Prokuroria Themelore Publike, Zyra Shkup”, është bërë e ditur në faqen e MPB-së.
Prokuroria Themelore Publike në Shkup sot paraprakisht në gjykatë ka dorëzuar propozim për caktimin e masës së paraburgimit afatshkurtër prej 48 orësh ndaj 46-vjeçarit nga Shkupi, nën dyshimin se ka ndihmuar Lupço Palevski-Pallço për arratisje në Türkiye, përmes Bullgarisë dhe Serbisë.
Adoleshentja Vanja Gjorçevska është gjetur e pajetë më 3 dhjetor në afërsi të Shkupit, pasi ishte shpallur e zhdukur më 27 nëntor të këtij viti. Ndërkaq, Pançe, me origjinë nga Velesi, është gjetur të njëjtën ditë, pas raportimit për zhdukjen e tij më 24 nëntor.
Katër të dyshuarit për vrasjen e Vanja Gjorçevskës sonte janë sjellë në Gjykatën Themelore Penale në Shkup, ku gjyqtari i procedurës paraprake do të vendosë për propozimin e prokurorisë për vazhdimin e masës së paraburgimit.
Të katër janë marrë nga Burgu Hetimor në Shutkë, ku tre janë në paraburgim si të dyshuar për vrasjen e 14-vjeçares Vanja Gjorçevska dhe 74-vjeçarit Pançe Zhezovski nga Velesi, pasi Gjykata paraprakisht kishte pranuar propozimin e Prokurorisë Themelore Publike në Shkup dhe i ka caktuar masën e ndalimit afatshkurtër prej 48 orësh, për shkak të rrezikut të arratisjes, ndikimit te dëshmitarët dhe kryerjes së veprës penale të re.
Babai i vajzës 14-vjeçare dyshohet se ka ndarë informacione me të dyshuarit e tjerë për daljen e saj nga shtëpia.