Lajçak dhe Escobar në Kosovë dhe Serbi, diskutohen tensionet në veri / Foto: AA

I dërguari i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar dhe i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi Mirosllav Lajçak janë pritur në Qeverinë e Kosovës nga kryeministri Albin Kurti.

Pas takimit i cili ka zgjatur rreth dy orë, Lajçak tha se bashkë me kolegun Escobar janë në Kosovë për të ndihmuar në gjetjen e një zgjidhjeje në veri të Kosovës me ç’rast kanë prezantuar edhe tri elemente.

“Ne propozuam tri elemente në këtë kontekst. E para, deeskalimi i situatës në terren në veri; e dyta, zgjedhje të reja të shpejta në veri; dhe e treta, kthim në dialog dhe procesin e normalizimit. Ishte një takim i gjatë, i sinqertë dhe i vështirë me kryeministrin për këto çështje”, theksoi Lajçak.

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se midis partnerëve ndërkombëtare ka unitet në kërkesat që i janë bërë palës kosovare.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian, NATO-ja dhe çdo mik i Kosovës ka bërë të njëjtën kërkesë identike. Pra, shpresojmë se ajo do të dëgjohet”, tha Escobar.

Tutje, ai dënoi sulmet në veri të vendit ndaj ushtarëve të Misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR) dhe tha se autorët duhet të japin llogari për këtë.

Escobar dhe Lajçak po qëndrojnë për vizitë zyrtare në Kosovë derisa në veri të vendit nga data 26 maj serbët lokalë po protestojnë për të kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë të zgjedhur në katër komunat me shumicë serbe, veri të Mitrovicës, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.

Ata do të qëndrojnë në Kosovë edhe nesër ku pritet të takojnë edhe presidenten Vjosa Osmani dhe krerët e partive opozitare në vend. Ndërkohë, pas përfundimit të vizitës në Kosovë, ata do të shkojnë për vizitë edhe në Serbi.

AA