Lajçak takon opozitën në Kosovë, kundërshtime për Propozimin Evropian / Photo: AA

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak vazhdon vizitën zyrtare në Prishtinë, ku po takohet me përfaqësuesit e partive opozitare në vend.

Lajçak është pritur nga Memli Krasniqi, kreu i partisë më të madhe opozitare në vend, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ndërsa takohet edhe me përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe me ata të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Kreu i PDK-së pas takimit me Lajçakun tha se gjatë takimit me emisarin e BE-së për dialogun e ka njoftuar atë se PDK-ja ka rezerva sa i përket propozimit evropian, të njohur edhe si plani franko-gjerman.

Krasniqi tha se ajo që ka Kosova tani është një marrëveshje e përkohshme jo me njohje të ndërsjellë Kosovë-Serbi, por me Asociacionin e komunave me shumicë serbe në qendër.

"Zotëri Lajçakut ia shpreha edhe një herë qëndrimin e Partisë Demokratike të Kosovës, rezervat që kemi për arsye të cilat i kemi diskutuar edhe në të kaluarën. Ne kemi qenë mbështetës të procesit të dialogut në vazhdimësi duke pritur një përfundim që sjell marrëveshje finale me njohje të ndërsjellë. Ky ka qenë gjithmonë jo vetëm qëndrimi ynë, por edhe qasja e partnerëve ndërkombëtarë. Fatkeqësisht, ajo që kemi sot në tavolinë është një marrëveshje e përkohshme tashmë jo me njohjen e ndërsjellë, por me Asociacionin në qendër", theksoi Krasniqi.

Sipas tij, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dështuar t'i bindë mbështetësit ndërkombëtarë për ta mbështetur Kosovën në realizimin e qëllimeve të saj.

Krasniqi tha se PDK-ja nuk është kundër formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, por "ka nene të caktuara në marrëveshje që rrezikojnë të shkojnë përtej Asociacionit dhe përtej Kushtetutës së Kosovës".

Ai tha se pa njohje të ndërsjellë midis Kosovës dhe Serbisë, do të ketë vetëm vazhdim të dialogut.

Lajçak, i cili po qëndron në Prishtinë nga 9 marsi, është pritur dje nga presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.

Me kryeministrin Kurti, Lajçak tha se kanë diskutuar të enjten për implementimin e planit evropian derisa tha se takimi me të "i përmbushi pritshmëritë e mia".

Pas takimit të 27 shkurtit ndërmjet kryeministrit Ablin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq në Bruksel ku palët u pajtuan të mos ketë diskutime të mëtutjeshme mbi propozimin evropian të njohur edhe si plani franko-gjerman, dy përfaqësuesit e shteteve fqinje pritet të takohen më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

AA