Komandanti i Akademisë së Forcave të Armatosura, gjeneralbrigade Bardhyl Nuredinaj, mirëpriti ministrin e Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, në një vizitë zyrtare.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes, bisedimet u përqendruan te studentët nga Kosova që ndjekin programe Bachelor dhe Master në Akademi.
Aktualisht, 10 studentë kosovarë ndjekin studimet Bachelor dhe 2 të tjerë programin Master. Ndërkohë, në Kolegjin e Mbrojtjes dhe Sigurisë marrin pjesë në kurse të specializuara 12 pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Ministri Maqedonci u njoh nga afër me ambientet e akademisë dhe inspektoi programet akademike dhe stërvitore të ndjekura nga studentët.
Në përfundim të vizitës, ai zhvilloi një bashkëbisedim të hapur me studentët kosovarë, ku theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional në mbrojtje dhe edukimin ushtarak.