Qeveria e Kosovës dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë kanë nënshkruar të premten marrëveshjen financiare për programin vjetor financiar IPA 2022, e cila i sjell vendit mbi 62 milionë euro.
Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje u bë nga zv/kryeministri i Kosovës Besnik Bislimi dhe ambasadori i BE-së në Kosovë Tomas Szunyog.
Që të dyja palët presin që kjo marrëveshje të ratifikohet sa më shpejt në Kuvendin e Kosovës me qëllim që të nis sa më parë zbatimi i projekteve që financohen nga këto fonde.
Zëvendëskryeministri Bislimi tha se 62,25 milionë eurot nga kjo marrëveshje do të përkrahin një sërë projektesh për profesionet e lira, ato për mjedis dhe energji të gjelbër, efiçiencë të energjisë, menaxhim të mbeturina e ujërave të zeza.
Ai theksoi se Kosova brenda një periudhe të shkurtër ka nënshkruar tri marrëveshje me radhë në kuadër të programeve IPA III.
“Me nënshkrimin e marrëveshjes për IPA 2022, Kosova po përfiton 62,25 milionë euro nga BE-ja të cilat do të zbatojnë një sërë projektesh sikurse përkrahja për profesionet e lira në Kosovë, instrumenti i përafrimit me standardet e BE-së, përkrahja për mjedisin dhe energjinë e gjelbër, efiçienca e energjisë, ekonomia qarkore dhe menaxhimi i mbeturina ujërat e zeza zhvillimi i përgjithshëm socio-ekonomik, si dhe përkrahja dhe integrimi i komuniteteve”, tha Bislimi.
Ndërsa ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, tha se kjo ndihmë financiare mbështet zhvillimin ekonomik të përgjithshëm në Kosovë.
“Kjo asistencë dhe angazhimi ynë për Kosovën është për të mbështetur zhvillimin ekonomik të përgjithshëm në Kosovë. Ky lloj i ndihmës financiare fokusohet në dy vitet vijuese duke kontribuar në një shoqëri multietnike dhe stabile me një sistem të përgjegjshëm të drejtësisë”, tha ambasadori.
BE-ja ka filluar ofrimin e financimit IPA për Kosovën që në vitin 2007.